Mbyti gruan dhe më pas vraun veten/ Karamuço: Profesori amerikan ishte në terrenin e një çrregullimi të rëndë psikologjik

schedule23:41 - 20 Gusht, 2024

schedule 23:41 - 20 Gusht, 2024

Një ngjarje e rëndë ndodhi ditën e hënë në Tiranë, ku u gjet i varur një profesor amerikan 53 vjeçar, i cili më parë kishte vrarë dhe gruan së bashku me dy qentë para se të vriste veten.

Lidhur me këtë ngjarje tronditëse është diskutuar në “Ora e fundit”, mes ekspertit të kriminalistikës, Ervin Karamuço dhe ekspertit të sigurisë, Fatjon Softa.

Sipas Karamuços, profesori ka pasur çrregullime të rënda psikologjike, por që hetimet do të tregojnë gjithçka.

Karamuço: Janë në fazën e verifikimit dhe të ekspertimit grafik dhe veterinar për shkak të kafshëve që ai ka vrarë. Do të shikohen të gjitha këto si prova dhe gjurmët përkatëse, edhe do të dalin në një konkluzion. Sigurisht që prokuroria ka ngritur dy akuza, do të shikohet më tej, nëse ka pasur ndonjë person të tretë që mund të ketë ndihmuar ose jo. Në përfundim, këto janë hetime për të dalë në versionin final, që personi ka vrarë gruan, kafshët dhe më pas veten, por duhen bërë këto veprime për të hequr çdo dyshim të mundshëm.

Softa: Ai ishte një mësues në një kolegj në Tiranë dhe mbahej vetëm me rrogën e tij. Bashkëshortja e tij, indoneziane ishte e papunë dhe gjithë ekonomia e tyre në një ambient me qira mbahej me këtë rrogë. Nuk e di a mund të kenë qene arsye ekonomike borxhet, apo gjendja e tij, që mund ta kenë shtyrë, por një gjë është e rëndësishme kur analizojmë një ngjarje, që nuk janë vetëm elementë rrethanor. Pra, një person që në një moment të caktuar përgatitet për të marrë një vendim, ka disa elementë, litarët që ai ka përgatitur si për bashkëshorten dhe për veten dhe shkopat e bejsbolli për qentë. sigurisht që hetimet do të jenë më të thelluara dhe do të kemi dhe element të tjerë.

Karamuço: Për mendimin tim jemi në terrenin e një çrregullimi të rëndë psikologjik. Midis të tjerave, ai nuk ka thënë vetëm atë që ka dalë në media, por ka thënë dhe faktin që çfarë kam nga kjo jetë do ta marr me vete. Kjo ka të bëjë me një profil psikologjik me çrregullime të rënda të shëndetit mendor, që vijnë nga depresione të rënda deri në skizofreni./abcnews.al