Mbyllja e “tregut të orizit”, protestojnë sërish tregtarët: Kërkojnë të sjellin 97′ këtu

schedule10:38 - 24 Prill, 2020

schedule 10:38 - 24 Prill, 2020

Tregtarët e “tregut të orizit”prej ditësh vazhdojnë të protestojnë për mbylljen e këtij tregu. Ata i janë drejtuar edhe me një letër kryetarit të Bashkisë së Vlorës Dritan Leli për një zgjidhje të kësaj situate.

Në një intervistë për “ABC News” tregtarët kanë treguar se nuk janë njoftuar më parë nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për mbylljen e këtij tregu dhe në këtë mënyrë malli i është bllokuar duke i shkaktuar qindra para dëme.

Të revoltuar ata janë përplasur edhe me punonjës të policisë. Për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19 janë të karantinuar duke pezulluar edhe aktivitetin e punës, por ndërkohë ata theksojnë se nuk kane marrë asnjë lloj ndihme.

“Je trim i madh”.

Tregtari: Jam, se për bukën e gojës po dal këtu. Jam pa bukë, kam dy muaj, nuk largohem. Ti i merr paratë, unë nuk marr asgjë.

Ndërsa një tjetër qytetar u shpreh për “ABC News” se prej 12 ditësh ende nuk ka marrë asnjë përgjigje as nga Prefektura dhe as nga Bashkia.

Sipas qytetarit AKU nuk i ka lajmëruar për mbylljen e tregut dhe në këtë mënyrë i gjithë malli i ka mbetur i bllokuar në depo, ndërsa shtoi se nënkryetari i Bashkisë është shprehur për diskutim dhe marrje të një vendimi, por nuk i është bërë asnjë komunikim për mbyllje të tregut.

“30 vjet askush nuk ka thënë që tregu është jashtë standardeve. AKU gjithmonë ka bërë inspektimin e saj dhe nuk ka bërë kërkesë për mbyllje”, u shpreh ai.

Lexo edhe: Tregtarët e tregut të “orizit” në protestë përpara bashkisë Vlorë: Jemi pa bukë!

Gjithashtu ai theksoi se duhet të vendosen masat dhe rregullat dhe tregtarët që nuk i zbatojnë të ndëshkohen, “të ardhurat e mia mbështeten në atë treg, mbaj familjen, ne kemi nevojë për zgjidhje”, u shpreh ai.

Tregtarët të revoltuar kanë kërkuar një zgjidhje të menjëhershme sepse kanë mbetur pa asnjë përgjigje, tashmë sipas tyre të mbetur edhe pa bukë.

“Këta kërkojnë të sjellin 97′ këtu, unë nuk mund të shikoj djalin kështu. Unë do të ngrihem, do vjedh, do të vras, përderisa jam pa bukë në shtëpi. Ne kërkojmë një përgjigje, kushtet e tregut janë të mira, çfarë kërkojnë. AKU të vijë të shohë si është situata”, tha një tjetër tregtar.

Tregtarët mbeten në pritje të një zgjidhjeje zyrtare pasi për ta ky treg është e vetmja mënyrë mbijetese. Ata shprehen të revoltuar sepse të gjithë tregtarët kanë ndërprerë aktivitetin dhe malli i ka mbetur i bllokuar, ndërsa shtojnë se nuk kanë mundësi tjetër punësimi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!