Mbyllja e ngushticës së Hormuzit nga Irani po trondit tregjet globale të energjisë, me Azinë që pritet të marrë goditjen më të madhe.
E vendosur midis Omanit dhe Iranit, ngushtica funksionon si një arterie jetësore për tregtinë globale të naftës dhe gazit. Por, si do të ndikohen vendet që mbështeten nga dërgesat e naftës e gazit nëpërmjet ngushticës së Hormuzit?
Azia Jugore do të përballet me ndërprerjen më të madhe, veçanërisht kur bëhet fjalë për furnizimet me gaz. Sipas të dhënave te firmës konsulente për energjinë Kpler, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe përbëjnë 99% të importeve të gazit në Pakistan, 72% të importeve në Bangladesh dhe 53% të importeve të Indisë.
Një mbyllje e zgjatur e Ngushticës do të vinte në provë sigurinë energjetike të Kinës, por rezervat dhe furnizimet alternative i ofrojnë vendit një barrierë mbrojtëse. Kina është importuesi më i madh i naftës bruto në botë dhe blen mbi 80% të naftës iraniane.
Rreth 30% e importeve të gazit natyror vijnë nga Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Analistët thonë se Pekini është më i ekspozuar materialisht, por më fleksibël për ti bërë ballë situatës.
Lindja e Mesme furnizon 75% të importeve të naftës së Japonisë dhe 70% të importeve të naftës së Koresë. Për gazin, ekspozimi i tyre është më i ulët se ai i Azisë Jugore.
Koreja e Jugut furnizohet me 14% të gazit nga Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa Japonia furnizohet me 6%. Këto shtete sipas analistëve të tregut janë të ekspozuara ndaj goditjeve të furnizimit.
Në pjesën më të madhe të Azisë Juglindore ndërkohë, goditja e parë nuk do të jetë mungesa e menjëhershme, por inflacioni i kostos.
Blerësit e gazit që varen nga eksporti do të përballen më kosto më të larta për gjetjen e rrugëve alternative dhe zëvendësimin e këtij produkti.


