Mungesa e turistëve perëndimorë përgjatë korrikut ka rrënuar turizmin në Shqipëri.
Kreu i Shoqatës së turoperatorëve Kliton Gërxhani deklaron se edhe pse jemi në kulmin e sezonit në vend ka vetëm 20% të totalit të turistëve që parashikohej në kohë normale.
“Paraqitet shumë e rëndë situata. Ky ishte kulmi i sezonit, por nuk ka turistë nga Evropa dhe ne nuk kemi një plan masash siç është ai që operon Mali i Zi”, shprehet ai.
Vitin e kaluar ekonomia shqiptare përfitoi 2 miliard euro vetëm nga sektori i turizmit ndërsa këtë vit parashikohet që fitimet të jenë vetëm 20% e kësaj shumë ose vetëm 400 milion euro.
“Turizmi sjell rreth 2 miliard euro të ardhura. Besoj se gjysma nuk do të jetë. Duhet parë deri në fund të vitit”, tregon ai.
Turoperatorët i bëjnë apel qeverisë që të marrë masa emergjente për të ndihmuar këtë sektor.
“Ky ishte edhe profili më i rënduar i të gjithë sektorit të turizmit që ka nevojë për ndihmë urgjente. Ne nuk kemi bërë asgjë që nga nëntori i vitit të kaluar dhe tani është shumë vështirë që në vjeshtë të bëhet diçka ndryshe”, shprehet ai.
Aktualisht në Shqipëri jugu mbetet një ndër zonat më të frekuentuara si nga shqiptarët ashtu edhe nga kosovarët./abcnews.al/

