“Mbyllet sezoni i mbjelljes me mbi 104 mijë pemë”/ Veliaj: Tirana, qyteti numër një për turizëm dhe pastërti

schedule14:10 - 1 Maj, 2024

schedule 14:10 - 1 Maj, 2024

1 Maji, Dita e Punëtorëve, shënoi edhe mbylljen e aksionit të mbjelljes së pemëve në Tiranë për sezonin Tetor-Prill, duke i shtuar kryeqytetit edhe 104 mijë pemë të reja. Në një ceremoni të veçantë në Parkun Helen, pranë Liqenit të Farkës, kryebashkiaku Erion Veliaj falenderoi secilin prej donatorëve që dhanë një dorë për shtimin e gjelbërimit, si dhe shprehu mirënjohjen për çdo punëtor të Bashkisë së Tiranës, duke u uruar Festën e Punëtorëve.

“Sot është një ditë me diell dhe ne sapo kemi përfunduar sezonin e mbjelljeve. Sot është një ditë feste, një ngjarje që u kushtohet jo atyre që flasin, jo atyre që komentojnë, jo atyre që bëjnë analistin, jo llapaqenerisë së ekraneve, por atyre që punojnë! Gëzuar festën dhe gëzime paçi gjithmonë! Kjo ditë është edhe një moment i madh reflektimi sepse kur themi punëtorët e qytetit, duket sikur po flasim për një masë amorfe, por unë dua të falenderoj sidomos ata që e ndoqën me përkushtim energjinë që prodhoi mbi 104 mijë pemë për Tiranën tonë, duke dhuruar më shumë gjelbërim, më shumë hije, më shumë hijeshi dhe estetikë”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se sot Tirana është bërë qyteti numër një në Evropë për turizëm, pastërti, për rritjen e ekonomisë dhe të vlerës së pronës. “Sot që është dita e 1 majit, dua të falenderoj jo vetëm stafin drejtues, por ata njerëz që bëjnë punë reale, që nuk dalin kurrë në televizor, që nuk japin kurrë mend si bëhet një punë, nuk ankohen kurrë, por janë njerëzit e thjeshtë të bashkisë, ata që mbajnë me nder uniformën me logon e Bashkisë së Tiranës dhe e kanë bërë Tiranën qytetin numër një sot në Evropë për turizëm, pastërti, për rritjen e ekonomisë dhe vlerës së pronës. Ka shumë njerëz që më thonë: ‘O kryetar, te lagjja jonë, poshtë ballkonit tim, duhet të vijë pak më shpesh pastrimi!’ Unë jam mik me kryetarin e Bashkisë së Vjenës, por në Vjenë nuk ka pastruese që rri poshtë ballkonit. Jam mik me kryetarin e Bashkisë së Parisit, por nuk ka pastrues poshtë ballkonit atje. Ka pastrues në rrugët kryesore të Parisit, por jo poshtë ballkonit, poshtë pallatit tënd. Jam mik me kryetarin e Bashkisë së Barcelonës, Londrës, Firences, Milanos, Athinës, Stambollit, por vetëm ne e ofrojmë një shërbim të tillë”, tha Veliaj, teksa i ftoi qytetarët të tregohen bashkëpunues dhe të ruajnë mjedisin.

Duke u ndalur te shtimi i sipërfaqeve të gjelbra, Veliaj tha se sot Tirana ka disa parqe, që mund të përdoren nga të gjithë qytetarët, ndërsa solli në vëmendje hapësirat publike të zaptuara më parë. “Sot kemi një park të jashtëzakonshëm në Liqenin e Tiranës. Ju kujtohet dita jonë e parë? Gjysma e parkut të liqenit ishte e zaptuar. Ato pemët e vogla, me të cilat talleshin këta, sot janë bërë tre herë sa unë, bëjnë hije, prodhojnë hijeshi, kanë dyfishuar Parkun e Liqenit të Tiranës dhe na kanë dhënë frymëzim, që pasi mbaruam atje, të kthehemi këtu në Farkë, ku ka mbaruar Parku i Liqenit të Farkës, pedonalja, ku shpresojmë të kemi më shumë aktivitete si këto të sotmet, për t’u treguar njerëzve se i kemi dhënë qytetit gjysmën tjetër të mushkërisë”, tha ai.

Veliaj komentoi edhe kritikat nëpër studio televizive. “Të rrish në studio e të japësh mend se në Tiranë nuk bëhet asnjë punë, pasi je bërë llucë në kazino, është kollaj. Nga divani të gjithë janë mjeshtra, tregojnë edhe si qeveriset bota, planeti dhe universi. Të dalësh në rrugë me fshesë, me lopatë, të sigurohesh që krasitet, që pastrohet, t’i rrish punës tek koka, ky është heroizmi i shekullit ku jetojmë dhe këta janë njerëzit, heronjtë tanë të punës”, u shpreh Veliaj.

Shtimi i hapësirave të gjelbra është një ndër objektivat e Bashkisë së Tiranës, përcaktuar edhe në Planin e Veprimit “Qytet i Gjelbër”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!