Mbyllet klubi i vetëm i futbollit në Tibet, arsyeja do t’ju habisë

schedule11:18 - 23 Qershor, 2020

schedule 11:18 - 23 Qershor, 2020

Skuadra e parë dhe e vetme e futbollit në Tibet, tashmë nuk ekziston më, pas vendimit për të ndaluar ndeshjet që luhen në 3 mijë metra lartësi mbi nivelin e detit. Sipas federatës kineze të futbollit, një gjë e tillë vë në rrezik shëndetin e futbollistëve, për shkak të mungesës së ajrit.

Në Tibet, lartësia ka mbytur të vetmin ekip profesionist të futbollit, që është urdhëruar të mbyllë çdo aktivitet. Lhasa Cengtou, e para dhe e vetmja skuadër futbolli e vendit, do të mbyllë çdo gjë pas një serie kritikash për ndeshjet pritëse, duke qenë se bëhet fjalë për një nga qytetet më të larta në botë, 3.650 metra mbi nivelin e detit.

Ekipi i futbollit i kryeqytetit të Tibet, rajon autonom në juglindje të Kinës, sipas AFP-së, ka luajtur vetëm dy ndeshje në shtëpi në këtë sezon, në kampionatin kinez të kategorisë së tretë. Çdo herë arbitrit i është dashur të ndërpresë lojën për 15 minuta, për të lejuar lojtarët që të marrin oksigjen me shishe. Kjo sipas mediave kineze.

Me anë të një deklarate për mediat, klubi nga Tibeti shpreh trishtimin e madh për vendimin marrë, pasi dëshironin të ishin një dritare për futbollin tibetian. Goditja finale ndaj ekipit erdhi kur Federata Kineze e Futbollit vendosi të mos njohë më rezultatet e ndeshjeve të luajtura në lartësi, për arsye që lidhen me sigurinë e futbollistëve.

Mediat kineze publikuan dhe rastin kur lojtarët kanë dalë me barelë nga fusha gjatë një ndeshjeje në Lhasa, për shkak të mungesë së oksigjenit. Gjithsesi policia tibetiane e përgënjeshtroi lajmin. Mediat kineze këmbëngulin se i gjithë terreni tokësor në Tibet është në lartësinë prej 3 mijë metrash mbi nivelin e detit.

Problemi i futbollit tibetian kujton debatet në 2007-ën, si pasojë e vendimit të FIFA për të ndaluar ndeshjet ndërkombëtare 2500 metra mbi nivelin e detit, me synim ruajtjen e shëndetit të lojtarëve. Kjo masë preku disa vende në Amerikën Jugore, si Bolivinë, kombëtarja e futbollit e së cilës shpesh luan në La Paz, 3600 metra mbi nivelin e detit, më pas Kolumbinë, me Bogota 2600 metra lartësi, si dhe Kuito në Ekuador me 2800 metra lartësi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!