Mbyllet centrali, Koreja e Veriut përfundon testet bërthamore

schedule12:14 - 21 Prill, 2018

schedule 12:14 - 21 Prill, 2018

Në fjalën e tij para Komitetit Qendror të Partisë së Punëtorëve, lideri koreanoverior Kim Jong-un premtoi se nuk do të ketë më teste bërthamore dhe raketore, pasi tashmë vëmendja duhet të përqendrohet tek rimëkëmbja ekonomike e vendit. Nuk kanë munguar reagimet.

Koreja e Veriut konfirmoi se duke filluar që nga data 21 Prill, kanë përfunduar testet për armë bërthamore dhe raketa. Vendimi u mor pas një mbledhjeje të Komitetit Qendror të Partisë së Punëtorëve, i cili shprehu vullnetin për tu përqendruar në rritjen ekonomike të vendit. Lideri koreano verior Kim Jon-un u shpreh se vendi ndodhet në një fazë të re të historisë dhe nuk ka më nevojë për teste bërthamore dhe raketore.

Kim Jong-un mbajti një fjalim para Komitetit Qendror të Partisë së Punëtorëve duke shënuar një kthesë të vërtetë. Nëse çdo gjë shkon ashtu si duhet, asgjë nuk do jetë si më parë dhe më në fund do të ketë një traktat paqeje që do i japë fund formalisht lufëts mes Koreve, duke zëvendësuar marrëveshjen e 1953-shit. Por sidomos do të shuhet kërcënimi që prej vitesh regjimi koreanoverior i ka drejtuar Shteteve të Bahskuara të Amerikës dhe aleatëve në juglindjen aziatike, Koresë së Jugut dhe Japonisë në radhë të parë. Një rrezik për luftë bërthamore.

Lideri koreanoverior në fjalën e tij premtoi se nuk ka më nevojë për teste bërthamore apo raketore dhe se centrali bërthamor në veri të vendit është mbyllur. Pikërisht në këtë central ishin kryer dhe gjashtë testet e fundit bërthamore. Sipas agjencive koreanoveriore të lajmeve, Kim Jong-un u shpreh se është moment historik për t’u riafruar me vendet e tjera, në mënyrë që Koreja e Veriut të njihet nga ana e komunitetit ndërkombtar me shpresën që shumë shpejt të hiqen sanksionet ekonomike.

I pari që ka reaguar i entuziazmuar është kreu i Shtëpisë së Bardhë Donald Trump, i cili me anë të një mesazhi në profilin e tij në Twitter u shpreh se ky ishte një lajm i madh për të gjithë botën dhe se pas këtij progresi mezi po priste të takohej me liderin koreanoverior. Por më parë Kim Jong-un do të takohet me homologun e tij të Koresë së Jugut, Moon Jae-in.

Por analistët janë treguar të kujdesshëm duke komentuar se deklarata e Kim nuk nënkupton se regjimi i Penianit do të heqë dorë nga arsenali dhe potenciali i tij bërthamor. Ndërkohë ministri japonez i Mbrojtjes u shpreh se deklarata e Koresë së Veriut ishte e pamjaftueshme. Ndërsa kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, tha se Tokio gjithsesi do të vazhdojë të monitorojë me kujdes lëvizjet e regjimit koreanoverior.

Edhe Pekini reagoi me të njëjtin entuziazëm si Trump duke thënë se Kina i beson këtij vendimi të Kim Jong-un, i cili ka zgjedhur të përqendrohet tek mirqënia e popullit të tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!