Transferohet “41 biss”, të dënuarit në këtë regjim do të mbahen vetëm në burgun e Peqinit

schedule16:37 - 11 Mars, 2024

schedule 16:37 - 11 Mars, 2024

Regjimi i posaçëm për izolimin në 41 bis në burgun 313 në kryeqytet nuk do të funksionojë më. Të dënuarit që izolohen në këtë regjim do të mbahen vetëm në burgun e Peqinit.

Mësohet se vendimi është marrë disa kohë më parë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, nisur nga fakti që numri i personave që i nënshtrohen këtij regjimi kohët e fundit ka qenë mjaft i ulët dhe mund të përballohet vetëm nga një prej këtyre institucioneve. Po kështu për shkak të numrit të madh të personave që kanë pranuar të bashkëpunojnë me prokurorinë e posaçme është menduar që këta individë të mbahen të izoluar në kryeqytet për të ruajtur sigurinë e tyre fizike dhe në të njëjtën kohë për ti ardhur në ndihmë prokurorëve të SPAK për marrjen e tyre në pyetje për shkak të afërsisë që ka kjo godinë me strukturën e posaçme.

Aktualisht në burgun e Peqinit janë përshtatur 40 qeli për izolimin e të dënuar që mbajnë kontakte me persona që vijnë nga bota e krimit apo që kryejnë edhe vepra penale. Aplikimi i regjimit të ashpër 41 bis në vendin tonë nisi në vitin 2019, ndërsa momentalisht mbahen të izoluar Ilir Kupa dhe Sokol Mjacaj. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!