“Metamorfoza”/ Mbyllen hetimet, të pandehurit akuzohen për vrasje, dosja shkon në gjykatë

schedule13:31 - 15 Prill, 2024

schedule 13:31 - 15 Prill, 2024

Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet për dosjen “Metamorfoza” dhe i komunikoi akuzat biznesmenit Pëllumb Gjoka, ish shefit të Operacionales, Oltion Bistri, ish-prokurorit Xhevahir Lita, Behar Bajrit dhe 3 personave të tjerë.

Tashmë dosja do të përfundojë në gjykatë ndërsa, Bajri pritet të gjykohet me dyshimet se ka qenë organizator i vrasjes së shtetasit Gjin Boriçi dhe në bashkëpunim me personat e tjerë ka siguruar kushte për 2 atentate që nuk janë realizuar.

Nga ana tjetër edhe Pëllumb Gjoka do të përballet me dyshimet se ka kërkuar ekzekutimin e një personi dhe ka dhënë ndihmë në organizimin e atentateve. Për ish drejtorin e Forcave Operacionale në policinë e shtetit, SPAK ka rrëzuar akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, por ka rënduar pozitat e tij penale duke dërguar në gjyq për korrupsion, pastrim parash dhe nxjerre të sekretit hetimor.

Nga ana tjetër, ish-prokurori i Shkodrës, Xhevahir Lita, akuzohet për korrupsion, ndërsa prokuroria në përfundim të hetimeve nuk e konsideron si  pjesë e  grupit kriminal, duke lehtësuar edhe pozitat e tij  ligjore. Për këtë dosje është ndarë një tjetër procedim për personat që janë në kërkim përfshirë edhe Ervis Martinajn, por edhe raste të tjera kriminale që janë ende duke u hetuar.

Hetimet nisën prej vitit 2019 pas informacioneve të siguruara nga autoritetet holandeze belge dhe ato franceze që zbërthyer komunikimet mes anëtarëve të grupit ne rrjetin “enchro chat” dhe “sky”.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!