“Mbushën” xhepat me lekë dhe lejuan prerjen e pyjeve, pezullohen nga detyra 5 policë në Korçë

schedule14:03 - 9 Dhjetor, 2021

schedule 14:03 - 9 Dhjetor, 2021

KORÇË- Pesë efektivë të Komisariatit të Policisë Maliq janë pezulluar nga detyra për shpërdorim detyre. Nga hetimet ka rezultuar se punonjësit e policisë, në bashkëpunim me struktura të tjera të kontrollit të territorit, kanë favorizuar kundrejt parave prerjen, transportin dhe tregëtinë e paligjshme të lëndëve drusore nga subjekte të ndryshme të shitjes së lëndëve drusore.

Në këtë mënyrë ata kanë krijuar skema fiktive në dokumentacionin shoqërues që këto subjekte përdorin gjatë transportimit dhe duke kryer kontrolle fiktive në pikat e kontrollit të ngritur me qëllim monitorimin e kësaj veprimtarie të kundraligjshme. Disa prej policëve  kanë kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Sipas policisë të pezulluarit janë:

  • – Kryekomisar R.H., ish-Shef i Komisariatit të Policisë Maliq, aktualisht Shef i Sektorit të Rendit në DVP Korçë, si i dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shkatërrimi i pronës”, “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm”;
  • – Inspektor D. L., me detyrë Trupë shërbimi në Komisariatin e Policisë Maliq, si i dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
  • – Inspektor A. A., me detyrë Trupë shërbimi Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Maliq, si i dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërimi i pronës” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
  • – Inspektor D. O., me detyrë Trupë shërbimi Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Maliq, si i dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shkatërrimi i pronës”;
  • – Inspektor N. M., me detyrë Trupë shërbimi Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Maliq, si i dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”,”Korrupsioni i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Të pezulluarit dyshohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shkatërrimi i pronës”, “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm”

“Po ashtu nga hetimet e kryera ka rezultuar se punonjësit e policisë, Kryekomisar R. H., Inspektor D.L. dhe Inspektor A.A. kanë kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Hetimet në lidhje me këtë procedim penal vazhdojnë. SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90”, raporton policia. be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!