Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, i cili po dëshmon në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe sot ka vazhduar dhënien e dëshmisë së tij para trupit gjykues në Hagë.
Seanca gjyqësore filloi me parashtrimin e pyetjeve nga mbrojtja e Kadri Veselit, avokati Ben Emmerson, i cili e pyeti atë për anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Rrustem Mustafa pohoi se ishte në dijeni se përveç Azem Sylës, ishin edhe disa anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm që qëndronin jashtë Kosovës.
Pjesa më e madhe e pyetjeve nga avokati Emmerson është bërë në seancën e së premtes.
Ndërsa aktualisht, ish-komandant Remi po intervistohet nga mbrojtja e Jakup Krasniqit.
Kjo është dita e pestë e Rrustem Mustafës si dëshmitar në Gjykatën Speciale, në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Gjykimi kundër tyre ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.
Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
/KosovaPress/