Mbrojtja e Shalës fillon paraqitjen e provave më 18 shtator

schedule17:38 - 25 Gusht, 2023

schedule 17:38 - 25 Gusht, 2023

Trupi gjykues në rastin kundër Pjetër Shalës ka refuzuar pesë dëshmitarë që mbrojtja kishte parashikuar të japin dëshmi në këtë çështje gjyqësore. Kjo është bërë e ditur në konferencën përgatitore për mbrojtjen që është mbajtur në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Kryetarja e turpit gjykues, Mappie Veldt Foglia, ka thënë se paraqitja e provave nga mbrojtja e Shalës do të fillojë me 18 shtator 2023.

“Trupi gjykues urdhëron heqjen e dëshmitarëve të mëposhtëm nga lista e dëshmitarëve të mbrojtjes, këta dëshmitarë janë 4454, dëshmitari i dytë është 404, dëshmitari i tretë është dëshmitari 2517, dëshmitari i katërt është 2549 dhe dëshmitari i fundit është 4751”, ka thënë kryegjykatësja Mappie Veldt Foglia.

Në një pjesë të arsyetimit të këtij urdhri, seanca ka vijuar e mbyllur për publikun apo është transmetuar me përmbajtje të redaktuar.

Ndërsa në seancë publike, kryegjykatësja ka thënë se dëshmia e pritshme dëshmitarit me kodin 4454 është përtej kuadrit material dhe kohor të akuzave dhe nuk e ndihmon turpin gjykues për zbulimin e së vërtetës.

Kryegjykatësja ka bërë të ditur se seanca e radhës në këtë çështje gjyqësore do të mbahet më 18 shtator ku do të fillojë paraqitja e provave nga mbrojtja e Pjetër Shalës.

E ai në këtë konferencë ka marrë pjesë përmes videolidhjes nga qendra e paraburgimit në Hagë ku po qëndron prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

/KosovaPress/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!