Mbrojtësi i Kombëtares tregon kalimin e tij te Sassuolo, Kumbulla: Këshillë nga Bajrami

schedule22:16 - 10 Shkurt, 2024

schedule 22:16 - 10 Shkurt, 2024

Është vetëm fillimi, dhe gjithmonë është e vështirë. Marash Kumbulla megjithatë e kupton se Sasuolo është shansi i karrierës së tij, pas dëmtimit të rëndë dhe konkurrencës së fortë te Roma.

Mbrojtësi “Kuqezi” tregon sesi ndodhi transferimi në ekipin tjetër të Serisë A, dhe sesi ndihet në këtë moment.

“Tani jam mirë. Jam riaftësuar plotësisht nga problemi I vogël muskulor që pata. Po punoj me skuadrën. Ndihem mirë. Tani duhet që të jem sa më shumë në fushë, gjatë stërvitjeve, por shpresoj edhe gjatë ndeshjeve. Deri tani po kaloj shumë mirë këtu. Për kalimin tim tek Sasuolo gjithçka ndodhi shumë shpejt. U fol vetëm ditën që bëra vizitën mjekësore. Nuk pata dyshime. Fola edhe me Bajramin, fola përpara sesa të vija këtu. Më tha se priste që të më takonte këtu. U nisa, mbërrita këtu dhe tani jam shumë I lumtur”.

Futbollisti 24-vjeçar I kombëtares ka bërë edhe një bilanc të karrierës në Itali.

“Në Veronë, le të themi që ishte shtëpia ime. Ishte sikur jetoja me njerëzit e shtëpisë. Ai vit ishte shumë I bukur sepse luajta rregullisht dhe mbijetuam në Serinë A 5-6 javë para fundit. Më pas erdhi oferta nga Roma, të cilën nuk mundesha ta refuzoja. Kalova 3 vjet e gjysmë shumë të bukur, edhe pse me ngritje e ulje. Fituam edhe një Kupë. Finalja në Tiranë ishte jashtëzakonisht emocionuese edhe pse nuk luajta. Ndjeva gjithë energjinë dhe dashurinë e shqiptarëve që ishin tifozë me ne”.

Kumbulla është një mbrojtës, por shpreson që tek Sasuolo të bëjë më shumë se kaq.

“Në karrierën time kam shënuar edhe ndonjë gol, sidomos nga goditjet nga këndi. Kuptohet, unë nuk jam sulmues. Nuk është specialiteti im të shënoj gola, por më pëlqen dhe sa herë që ka goditje nga këndi, objektivi im është që ta fus topin në rrjetë. Shpresoj të bëj ndonjë gol edhe këtu”. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!