Mbretëria e Bashkuar premton 1.3 miliardë paund shtesë mbështetje ushtarake për Ukrainën

schedule12:45 - 8 Maj, 2022

schedule 12:45 - 8 Maj, 2022

Mbretëria e Bashkuar do të ofrojë 1.3 miliardë paund të tjera (1.6 miliardë dollarë) mbështetje ushtarake dhe ndihmë për Ukrainën, tha në një deklaratë Thesari i vendit.

Njoftimi vjen përpara samitit virtual të G7 i cili do të mbahet sot, ku do të marrë pjesë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Premtimi shënon “normën më të lartë të shpenzimeve ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar për një konflikt, që nga kulmi i fushatave në Irak dhe Afganistan”, sipas një deklarate të Thesarit të shtunën.

Në fillim të kësaj jave, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson premtoi 300 milionë £ (370 milionë dollarë) mbështetje ushtarake për Ukrainën, duke përfshirë pajisjet e luftës elektronike, një sistem radari, pajisje bllokimi GPS dhe mijëra pajisje për shikim natën.

Premtimi i ri pothuajse dyfishon angazhimet e mëparshme të Mbretërisë së Bashkuar për shpenzimet në luftën në Ukrainë.

Sipas deklaratës, kjo paketë i shtohet “mbështetjes ekzistuese të Britanisë prej 1.5 miliardë £ (1.85 miliardë dollarë), e cila përfshinte rreth 400 milionë £ (494 milionë dollarë) ndihmë humanitare dhe grante për qeverinë ukrainase.

Johnson dhe sekretari i tij i mbrojtjes do të organizojnë një takim të kompanive të armëve më vonë këtë muaj për të diskutuar rritjen e prodhimit në përgjigje të kërkesës së krijuar nga konflikti në Ukrainë.

Kryeministri tha: “Sulmi brutal i Putinit jo vetëm që po shkakton shkatërrim në Ukrainë, por po kërcënon gjithashtu paqen dhe sigurinë në të gjithë Evropën”./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!