Ministri britanik i mbrojtjes, Majkëll Fellon ka dhënë dorëheqjen lidhur me skandalin e ngacmimeve seksuale që ka prekur disa deputetë dhe ministra të qeverisë. Dorëheqja është pranuar nga kryeministra Tereza Mej.
Ministri britanik i Mbrojtjes, Majkëll Fellon, ka dhënë dorëheqjen lidhur me akuzat për ngacmim seksual dhe sjellje të pahijshme që kanë prekur atë bashkë me disa eksponentë të tjerë konservatorë dhe anëtarë të qeverisë së Tereza Mej. Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i tij, i cili publikoi në media dhe letrën e dorëzuar në kryeministrinë e Mbretërisë së Bashkuar. Mësohet se dorëheqja është pranuar nga Tereza Mej. Shefja e qeverisë britanike thotë se vlerëson seriozitetin e konsideruar nga Fellon për pozicionin që mbante. Ndërsa vlerësoi dhe shembullin që dha ministri i dorëhequr.
Fellon ka pranuar që sjellja e tij në të shkuarën është “inferiore ndaj pritshmërive” që kërkohen për një person që mban atë post si dhe për ushtarakët në dikasterin e tij. Në fakt ministri ka dhënë dorëheqjen lidhur me një ngacmim që daton në vitin 2002, kur gjatë një darke, vazhdimisht kishte zgjatur duart tek gjunjtë e gazetares së njohur, Xhulia Hartley-Breuer. Vendimi i Fellon erdhi pavarësisht se viktima e kishte mbrojtur, duke thënë se ajo çfarë ka ndodhur është zgjidhur mes tyre.
Ndërkohë, në mediat sociale ministri është akuzuar edhe për episode të tjera të ngacmimeve seksuale që kanë ndodhur së fundmi. Në një dosier i cili është përpiluar nga asistentë parlamentarë, përmban emrat e rreth 40 deputetëve konservatorë, burra dhe gra, mes të cilëve ministra të ndryshëm dhe nënsekretarë. Madje në skandalin e ngacmimeve seksuale është përfshirë edhe numri dy i qeverisë britanike, Damian Green.
Në dosier, gjendet dhe një listë ku përcaktohen këta zyrtarë të parlamentit britanik si persona me sjellje të pahijshme, marrëdhënie jashtëmartesore, përdorim droge dhe abuzime seksuale.