Mbledhja e radhës e Këshillit Politik do të zhvillohet ditën e sotme në orën 17:30. Palët do të ulen për herë të tretë brenda javës dhe për herë të dytë pas votimit në Kuvend të marrëveshjes së 5 qershorit.
Ndërkohë anëtari i PS në Këshillin Politik Damian Gjiknuri ka replikuar sërish me përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare.
Ai thotë se në kushtet kur ata pranojnë mungesën e propozimeve konkrete, i konfirmon pjesëmarrjen në mbledhjen e sotme.
“Ju rikujtoj se në mbledhjen pesë orëshe të datës 21 Korrik, thërritur prej nesh, ju është prezantuar nisma e opozitës parlamentare për ndryshime në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, procedura e ndjekur nga Kuvendi, varianti i dakordësuar dhe miratuar nga Këshilli i Rregullores dhe Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut bashkë me relacionin përkatës.
Ndonëse dokumenti ka qenë krejtësisht publik, në faqen zyrtare të Kuvendit, ashtu sikurse të gjitha seancat e zhvilluara në komisione kanë qenë të hapura e publike, meqenëse ju deklaruat se ishit në mungesë dijenie, ju dorëzua edhe zyrtarisht një kopje nga sekretaria e Këshillit Politik.
Në kushtet kur ju pranoni mungesën e propozimeve konkrete të cilat do duhej të ja dërgonit paraprakisht anëtarëve të Këshillit dhe duke vlerësuar gjithsesi gatishmërinë tuaj për tu takuar, ju konfirmoj pjesëmarrjen në mbledhje”, shkruan Gjiknuri./abcnews.al