Mblidhet Komiteti i Mbrojtjes Civile, nga nesër tre helikopterë për shuarjen e flakëve, Peleshi: Situatë serioze

schedule00:02 - 3 Gusht, 2021

schedule 00:02 - 3 Gusht, 2021

Komiteti i Mbrojtjes Civile diskutoi për situatën e krijuar ditët e fundit nga zjarret në disa zona të vendit.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi e vlerësoi serioze gjendjen në gadishullin e Karaburunit, ku vatra ka marrë përmasa të rrezikshme, ndihmuar edhe nga era, e cila ndikon në përhapjen e flakëve.

Agjencia e Mbrojtjes Civile ka kontaktuar edhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile në Bruksel, ndërsa Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka patur biseda telefonike me homologët në Kroaci e Kosovë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në rast se do të jetë e nevojshme, në varësi edhe të situatave të tyre të brendëshme. Kontakte janë bërë edhe me qeverinë Italiane. Prej ditës së martë do të jenë në dispozicion tre helikopterë, të cilët do të ndërhyjnë nga ajri për shuarjen e vatrave të zjarrit, veçanërisht në Karaburun.

Ministri i Mbrojtjes tha se është menaxhuar me sukses shmangia e prekjes së bazës së Pashalimanit, ndërsa po punohet për shuarjen e vatrës në malin e Dukatit, për të mos lejuar që flakët të kalojnë në Parkun e Llogarasë.

Në një kohë që i gjithë rajoni është përfshirë në një situatë të vështirë për shkak të temperaturave të larta, ministri i Mbrojtjes Peleshi tha se kjo vështirëson edhe ndihmën që Shqipëria mund të marrë nga partnerët e saj.

Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako kërkoi maksimizim të bashkëpunimit ndërinstitucional në këtë situatë.

Çako informoi se aktualisht në vend janë 3 vatra zjarri efektive. Ai kërkoi nga policia të vendosen para përgjegjësisë personat, një pjesë e të cilëve janë identifikuar si autorë të zjarrvënieve. Dy vatra zjarri, një në Vaun e Dejës dhe një në fshatin Palokastër në qarkun e Gjirokastrës janë vënë nën kontroll. Ndërsa janë shuar vatrat në Fier, Ksamil, Mamurras e Përmet.

Komiteti i Mbrojtjes Civile miratoi autorizimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile e Ministrisë së Mbrojtjes për të përdorur kapacitete dhe fonde shtesë, në rast të emergjencës, përtej atyre që kanë në dispozicion, duke përfshirë këtu edhe bashkëpunimin me subjekte private apo nga jashtë vendit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!