Ajo që u premtua një vit më parë, mund të bëhet realitet këtë të enjten.
Kuvendi ka dhënë një datë për rreth 600 të burgosur që do të përfitojnë nga amnistia penale dhe qindra të tjerëve që do tu pushohet gjykimi.
Këtë të hënë, Bledi Çuçi mblodhi Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste ku u njoftua se në seancën e ditës së enjtes do të sigurohen votat për këtë ligj.
“Do të rakordojmë dhe me opozitën për të bërë 84 votat e nevojshne për miratim”, deklaroi Çuçi.
Për të arritur këtë, PS do të pranojë kërkesën e Bashës që të falen edhe protestuesit e opozitës që janë dënuar apo janë në proces gjyqësor ende.
Të martën, kriteret përfundimtare do t’i votojë Komisioni i Ligjeve, dhe do të jepet një panoramë e qartë se kush do të përfitojë.
PS është kundër një amendamenti i cili do të shpëtonte edhe deputetin e opozitës, Ervin Salianji, i cili është dënuar me 1 vit burg për cështjen “Babale” por ende nuk është gjykuar përfundimisht në apel.
Të enjten do të votohet edhe protokolli me Italinë për emigrantët. Çuçi tha se pritet zbardhja e plotë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese këto ditë të para të javës, që i hap më pas rrugë për çuarjen në seancë të marrëveshjes Rama-Meloni.
/abcnews.al/