Mbledhja e sotme e qeverisë, të gjithë VKM-të e miratuara

schedule17:58 - 17 Mars, 2023

schedule 17:58 - 17 Mars, 2023

Gjatë mbledhjes së sotme, 17 mars 2023, të Këshillit të Ministrave, u miratuan disa vendime.

Vendimi marrë “Për statistikat zyrtare” ka hyrë në fuqi menjëherë, ndërkohë që vendimet “Për të huajt” “Për strehimin social” “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik” dhe “Për pronat e paluajtshme të shtetit” do të hyjnë në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 17 Mars 2023:

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN KUVENDIT PËR EMËRIMIN E DISA ANËTARËVE TË KËSHILLIT TË STATISTIKAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 22, të ligjit nr.17/2018, “Për statistikat zyrtare”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin Kuvendit për emërimin e disa anëtarëve të Këshillit të Statistikave, si më poshtë vijon:

a) Z. Adrian Kamenica, përfaqësuese e përdoruesve kryesorë të statistikave zyrtare;
b) Znj. Elora Kokalari, përfaqësuese e përdoruesve kryesorë të statistikave zyrtare;
c) Znj. Kozeta Sevrani, përfaqësuese e botës akademike;
ç) Z. Edvin Zhllima, përfaqësues i shoqërisë civile;
d) Z. Blendi Salaj, përfaqësues i medias.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E FORMËS E TË PËRMBAJTJES SË DOKUMENTIT TË UDHËTIMIT PËR TË HUAJT PA SHTETËSI, TË DOKUMENTIT TË UDHËTIMIT, LEJES SË KALIMIT, TË DOKUMENTIT TË PËRKOHSHËM, DUBLIKATËS SË LEJES SË QËNDRIMIT E TË LEJES UNIKE, SI DHE TË LETËRNJOFTIMIT PËR TË HUAJT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12, pika 7, 13, pika 3, 15, pika 2, 38, pika 2, e 96, pika 3, të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e formës e të përmbajtjes së dokumentit të udhëtimit për të huajt pa shtetësi sipas aneksit nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Miratimin e formës e të përmbajtjes së dokumentit të udhëtimit për shtetasit e huaj sipas aneksit nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Miratimin e formës e të përmbajtjes së lejes së kalimit për të huajt sipas modelit të përcaktuar në aneksin nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

4. Miratimin e formës e të përmbajtjes së dokumentit të përkohshëm pas humbjes ose dëmtimit të dokumentit të udhëtimit, lejes së kalimit, lejes së qëndrimit dhe letërnjoftimit për të huajt, lëshuar nga autoriteti përgjegjës vendor për kufirin dhe migracionin, sipas formatit të përcaktuar në aneksin nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
5. Miratimin e formës e të përmbajtjes së dublikatës së lejes së qëndrimit dhe lejes unike për të huajt, sipas aneksit nr.5, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

6. Miratimin e formës e të përmbajtjes së letërnjoftimit për të huajt sipas modelit të përcaktuar në aneksin nr.6, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

7. Vendimi nr.442, datë 15.6.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e formës dhe të përmbajtjes së dokumentit të udhëtimit për personat pa shtetësi dhe lejes së kalimit për të huajt”, shfuqizohet.

8. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

U DH Ë Z I M
PËR

MIRATIMIN E METODOLOGJISË PËR LLOGARITJEN E ÇMIMIT MESATAR TË SHITJES SË BANESAVE NË TREG

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 10, të nenit 2, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

U DH Ë Z O N:

1. Qëllimi i këtij udhëzimi është miratimi i metodologjisë që shërben për llogaritjen e çmimeve mesatare të shitblerjes së banesave në treg, me qëllim përdorimin e tyre nga Enti Kombëtar i Banesave (EKB) ose njësitë e vetëqeverisjes vendore:

a) për të vlerësuar, nëse në territorin e një njësie të vetëqeverisjes vendore është më ekonomike të ndërtohen banesa të reja apo të blihen nga tregu;
b) për ta përdorur si nivel reference, në rastet kur vendosin të blejnë banesa në tregun e lirë;
c) për të përcaktuar kufirin maksimal të kreditimit, në zbatim të pikës 30, të vendimit nr.453, datë 3.7.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për masën e subvencionit të interesave të kredisë dhe procedurën e dhënies së tij për familjet që përfitojnë banesë me kosto të ulët, me kredi të lehtësuara nga shteti”.

2. Për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave, sipas këtij udhëzimi, dhe për llogaritjen e çmimeve mesatare, sipas metodologjisë së përcaktuar në këtë udhëzim, brenda 10-ditëshit të parë të çdo katërmujori, duke filluar nga muaji tetor, Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) i përcjell Drejtorisë së Përgjithshme të EKB-së të dhëna për të gjitha transaksionet e kryera nga regjistrimi i kontratave për titujt e pronësisë, sipas formatit të tabelës nr.1, të shtojcës “B”, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi.

3. Kur ASHK-ja nuk disponon të dhëna për zona të caktuara kadastrale, EKB-ja i referohet të dhënave të vitit parardhës për atë zonë dhe, nëse sërish nuk disponohen të dhëna për të paktën dy ose më shumë transaksione të kryera në atë zonë kadastrale, si referencë në zbatim të qëllimit të përcaktuar në pikën 1, të këtij udhëzimi, merret kostoja e ndërtimit të banesave në atë zonë.

4. Çmimet e shitblerjes në treg të lirë merren për transaksionet e kryera për banesa shumë familjare, në kuptim të vendimit nr.626, datë 15.7.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e normativave të projektimit të banesave”, të cilat:

a) janë të ndërtuara para viteve 1990 dhe pas viteve 1990;
b) ndodhen në zona dhe nënzona kadastrale;
c) janë me sipërfaqe të ndryshme, të ndara sipas strukturave: Garsoniere/Studio (G/S) , Mansard (M), 1+1, 2+1 dhe 3+1.

5. Llogaritja e çmimeve mesatare kryhet nga EKB-ja, brenda muajit nëntor, për çdo transaksion të kryer, sipas zonave kadastrale, të çmimit të shitjes për metër katror sipërfaqe banese dhe pasqyrohet, sipas formatit të tabelave nr.2 dhe nr.3, të shtojcës “B”, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi. EKB-ja përcjell menjëherë pranë ministrisë përgjegjëse për strehimin tabelat e plotësuara.

6. Sipërfaqe banese, sipas pikës 5, të këtij udhëzimi, është sipërfaqja e njësisë së banimit të regjistruar në ASHK, në bazë të certifikatës së pronësisë, bazuar në vendimin nr.782 datë 7.10.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e modeleve të akteve kadastrale dhe të dhënave në përmbajtje të hartës kadastrale”.

7. Mesatarja e çmimeve të tregut për çdo zonë kadastrale llogaritet si mesatare aritmetike e të gjitha çmimeve për metër katror. Në llogaritjen e çmimit mesatar përjashtohen nga llogaritja çmimet e grupit të dhjetë (decil) më të lartë, kur mesatarja e çmimeve të këtij grupi është më e lartë 1.3 herë sesa mesatarja e nëntë grupeve të tjera. Një shembull i llogaritjes së decilit më të lartë, sipas kësaj pike, pasqyrohet në shtojcën “A”, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi.

8. Të dhënat sipas tabelave nr.2 dhe 3, të shtojcës “B”, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi, miratohen brenda muajit dhjetor të çdo viti nga ministri përgjegjës për strehimin dhe botohen në “Fletoren zyrtare”.

9. Ngarkohen ministria përgjegjëse për strehimin, Enti Kombëtar i Banesave, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij udhëzimi.

Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSIONI I LINJËS 35 KV KORÇË-BILISHT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i linjës 35 kV Korçë-Bilisht”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, sh.a.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, “truall” dhe “vreshtë”, me një vlerë të përgjithshme prej 700 285 (shtatëqind mijë e dyqind e tetëdhjetë e pesë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 700 285 (shtatëqind mijë e dyqind e tetëdhjetë e pesë) lekësh, përballohet nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, sh.a.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, sh.a.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, sh.a.

8. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, sh.a., kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes sh.a.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Korçë dhe Zyra Vendore Devoll, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nisin procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrojnë aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit në përgjegjësi administrimi të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, sh.a.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Korçë, dhe Zyra Vendore Devoll pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të shtetit në përgjegjësi administrimi të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, sh.a., për pasuritë e shpronësuara.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Korçë dhe Zyra Vendore Devoll, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Korçë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA