Mbledhja e qeverisë në Dajt/ ABC News zbardh detaje, ja shtyllat kryesore që po diskutohen, në fokus edhe integrimi në BE

schedule13:27 - 1 Shtator, 2024

schedule 13:27 - 1 Shtator, 2024

TIRANË- Prej orës 10:00 të kësaj të diele vijoi mbledhja e qeverisë në Dajt, ku morën pjesë ministra, zëvendësministra, përfaqësues institucionesh që janë në varësi të kryeministrisë, kryetarët e Komisioneve Parlamentare si dhe kryetarja e Kuvendit.

Referuar burimeve brenda mbledhjes, gazetarja e ABC News Fjona Xhafaj ka mësuar detaje për temat dhe çështjet kryesore që po trajtohen.

Sipas saj, janë katër blloqe kryesore tek të cilat do të bazohet i gjithë diskutimi i mbledhjes, i cili ka zgjatur për mbi tetë orë.

“Këtë të diel po mbahet mbledhja e thirrur nga kryeministri Edi Rama, në të cilën janë prezentë ministra, zëvendësministra anëtarë të kabinetit, kryetarja e Kuvendit dhe përfaqësuese nga institucione që janë në varësi të kryeministrisë. Ka qenë një mbledhje që ka nisur në 10:00 të mëngjesit. Diskutimet janë fokusuar në katër blloqe kryesore diskutimesh mes pjesëtarëve të saj. I pari ka qenë blloku i komunikimit, i cili sipas burimeve ka përfunduar. Më pas do të vazhdohet me bllokun e sigurisë, bllokun social dhe bllokun e drejtorëve. Për ta specifikuar këtë të fundit, do jenë krerë te institucioneve nën varësinë e kryeministrisë, të cilët do të prezantojnë raportet në këtë mbledhje”,  tha ajo.

Por krahas diskutimeve dhe përgatitjeve të Partisë Socialiste për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, fokus të veçantë i është dhënë çështjes së integrimit të Shqipërisë në BE.

Për këtë pikë, gazetarja Xhafaj raporton se ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka ka mbajtur një fjalë në këtë mbledhje informale.

“Peshë i është dhënë edhe integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ku është Majlinda Dhuka, sipas burimeve, po mban fjalën në mbledhjen që u zhvillua me dyer të mbyllura”, shtoi ajo./ abcnews.al