Sondazh

Rama dhe Berisha në daljet vjetore, cili ju bindi më shumë:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Mbledhja e Grupit PS/ Balla: Shqipëria drejt BE-së në 2030, 40 muaj punë dhe agjendë intensive reformash në Kuvend

schedule13:25 - 16 Janar, 2026

schedule 13:25 - 16 Janar, 2026

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në mbledhjen e parë të grupit për vitin 2026 theksoi se prioriteti strategjik i mazhorancës është mbyllja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE deri në fund të vitit 2027 dhe finalizimi i procesit të anëtarësimit deri në vitin 2030, duke kërkuar angazhim maksimal të deputetëve në miratimin e ligjeve të integrimit dhe rritjen e disiplinës parlamentare.

– Angazhimi i 83 deputetëve të mazhorancës për përmbushjen e këtyre objektivave gjatë 40 muajve në vijim.

– Nevoja për ditë të gjata pune në komisione dhe seanca plenare për shkak të numrit të madh të ligjeve që lidhen me integrimin europian.



– Zbatimi i procedurës së përshpejtuar për ligjet që lidhen me përafrimin e legjislacionit me BE-në.

– Nevoja për ndryshime në Rregulloren e Kuvendit për rritjen e efektivitetit të kontrollit parlamentar.

– Përgjegjësia e Kuvendit për kontrollin e zbatimit të vendimeve të GjEDNJ lidhur me ngjarjet e 21 Janarit.

– Domosdoshmëria e përfundimit të Reformës Zgjedhore dhe Reformës Administrative Territoriale përpara zgjedhjeve vendore 2027.

– Reforma Zgjedhore:

– Adresimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
– Depolitizimi i administratës zgjedhore.
– Nxjerrja më e shpejtë e rezultatit zgjedhor.
– Diskutimi për numërimin në qendrat e votimit.

– Gatishmëria për bashkëpunim me opozitën për Reformën Zgjedhore dhe Reforma të tjera.

– Miratimi i Ligjit organik për funksionimin dhe organizimin e Kuvendit të Shqipërisë.

Balla ndër të tjera vuri theksin edhe te forcimi i rolit kontrollues të Kuvendit, pavarësia e institucioneve të pavarura, lufta kundër dezinformimit dhe respektimi strikt i rregullores parlamentare, me fokus të qartë te shqetësimet reale të qytetarëve dhe rruga europiane e vendit.

Fjala e plotë e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla:
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste të Shqipërisë e nis këtë sesion parlamentar, në këtë vit të ri politik, me bindjen dhe angazhimin e palëkundur se misioni ynë kombëtar i bashkimit të plotë me Europën s’ka qenë kurrë më i qartë dhe më afër.
Detyra e secilit prej 83 mandateve tona në këtë sallë s’ka qenë kurrë më e qartë dhe më konkrete sesa sot, nesër dhe për çdo ditë në 40 muajt në vijim, deri në ditën kur do t’i kërkojmë popullit shqiptar mandatin tonë të pestë qeverisës, diku në mes të pranverës 2029.
Përgjatë kësaj kohe, tre janë objektivat dhe sfidat tona për Shqipërinë 2030:
1. Të mbyllim negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian në fund të vitit 2027;
2. Të mundësojmë ratifikimin në 27 parlamentet e vendeve anëtare të Vendimit të Këshillit Europian për anëtarësimin e Shqipërisë në BE gjatë vitit 2028, mundësisht para zgjedhjeve për Parlamentin Europian – maj 2029;
3. Të ngremë deri më 28 Nëntor 2030 flamurin tonë kuqezi në oborrin e familjes së bashkuar europiane.
Siç e shikoni, objektivat tona janë të qarta dhe fakti që në agjendën tonë europiane tanimë e numërojmë me ditë, besoj do t’i bëjë edhe të tjerët, në atë pjesë që u ka mbetur të ulur në një pjesë të krahut të djathtë të sallës së seancave plenare, të kuptojnë qartë se ne nuk kemi asnjë ditë për të humbur.
Në kuadër të këtyre objektivave, ne po përcaktojmë në këtë mbledhje të zgjeruar sot edhe kalendarin tonë politik të detyrave që na takojnë, në përmbushje të këtyre objektivave që kryetari Rama i tha në fillim të mbledhjes dhe unë i përmblodha në fillim të fjalës sime.
Për shkak të numrit të madh të ligjeve që lidhen me procesin e përafrimit të legjislacionit apo përmbushjen e kushteve për anëtarësim, duhet të jemi gati për ditë të gjata pune në komisione dhe në seanca plenare pune.
Kjo kërkon një angazhim më të madh të çdo anëtari të Grupit tonë Parlamentar dhe, kur them angazhim më të madh, performancën dhe korrektesën në pjesëmarrje të sesionit të parë duhet ta shohin të gjithë si një moment reflektimi për sesionin që nisim dhe në viim. Të dhënat për secilin do të jenë në raportin që do të paraqesë Sekretari i Grupit.
Në dhjetor, Kuvendi miratoi ndryshimet në ligjin “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të RSH në BE”, ku thelbi i ndryshimeve ishte pikërisht ajo që kryetari Rama na kërkoi, parashikimi i procedurës së përshpejtuar për shqyrtimin dhe miratimin e ligjeve që synojnë përafrimin e legjislacionit dhe përmbushjen e kritereve/detyrimeve të anëtarësimit. Gjatë sesionit të parë kemi shqyrtuar dhe miratuar 9 ligje me objekt përafrimin e legjislacionit tonë kombëtar me acquis të Bashkimit Europian. Ndërsa sot që flasim janë në proces një numër i madh projektligjesh.
Ndryshimet në ligjin “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të RSH në BE” na detyrojnë të ndërmarrim sapo të rikthehemi ditën e hënë edhe ndryshime në Rregulloren e Kuvendit, ku, siç edhe e kemi thënë publikisht, duhet të përmirësojmë dhe rrisim efektivitetin e kontrollit parlamentar, ndërsa lidhur me procesin e raportimit në Kuvend të institucioneve, agjencive etj., duhet të zbatojmë të njëjtat mekanizma dhe procedura si në praktikat dhe eksperiencat më të mira në vendet e BE-së. Raportimet nuk duhet të jenë formale, na duhet qasje e re, krejtësisht.

Legjislatura aktuale arriti të zhbllokojë brenda sesionit të vet të parë ngërçin e trashëguar nga legjislatura e kaluar për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, në një proces model, ku edhe sipas traditës parlamentare shumica votoi një kandidaturë të propozuar ekskluzivisht nga opozita. Lidhur me procesin e zgjedhjes së Komisionerit të ri kundër Diskriminimit, për shkak të mbarimit të afateve pa kandidatë të mbështetur, komisioni përgjegjës do të rihapë menjëherë procesin, për ta zgjidhur edhe këtë ngërç sa më parë. Kemi përgjegjësinë, duke reflektuar edhe mbi gjetjet dhe rekomandimet e Raportit të Progresit nga Komisioni Europian, të mbështesim pavarësinë e këtyre institucioneve, me drejtues profesionistë.
Të mërkurën e ardhshme bëhen 15 vite nga tragjedia dhe krimi shtetëror i 21 Janarit, ndërsa presim nga drejtësia, veçanërisht nga Prokuroria e Posaçme, zbatimin e vendimeve të GJEDNJ-së dhe Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, lidhur me plot aspekte të asaj ngjarjeje kriminale. Ne nuk kemi hyrë asnjëherë në meritën apo përmbajtjen e dosjeve penale, por Kuvendi i Shqipërisë ka përgjegjësi në kontrollin e zbatimit të vendimeve të GJEDNJ-së bashkë me ministrinë e drejtësis siç na e kujtoi Njazi Jaho.
Zonja dhe zotërinj deputetë,
Në një nga të dielat mes 15 prillit – 15 majit 2027, Shqipëria do të mbajë zgjedhjet e radhës vendore.Të hënën Kuvendi i Shqipërisë fillon sesionin e tij të dytë të kësaj legjislature; në vjeshtë, Presidenti i Republikës do të dekretojë edhe datën e Zgjedhjeve Vendore 2027.
E pra, një detyrë tjetër kryesore dhe e përbashkët me opozitën, nëse ata duan të përfshihen, përgjatë këtij sesioni të dytë të kësaj legjislature deri në fund të korrikut, duhet të jetë finalizimi i Reformës Zgjedhore.
Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore duhet të adresojë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, ku përparësi të veçantë në vlerësimin tonë sikurse e ka thënë kryetar i Rama në asamble, ka depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore. Duhet të marrë fund kjo qasje e papranueshme për një vend anëtar të BE-së: partitë votohen, partitë numërojnë dhe votat e tyre.
Gjithashtu, të gjithë ia themi njëri-tjetrit majtas-djathtas, në ato netët pafund të numërimit në pallatet e sportit apo palestrat e shkollave, dhe me deputetët e opozitës e bejmë këtë bisedë sa herë kemi zgjedhje. Dhe këtu duhet ta ripërsërisim me zë të lartë nevojën e nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve në një kohë më të shkurtër, pse jo, të mos kryhet numërimi në qendrat e votimit.
Fakti është se, qoftë për komisionet zgjedhore partiake, qoftë për vonesën në nxjerrjen e rezultatit zgjedhor, koha nuk pret më as për zgjedhjet vendore 2027.
Reforma zgjedhore, sa i përket Kodit Zgjedhor, kërkon të paktën 84 vota në Kuvend. Por ne e kemi bërë publike ambicjen tonë për një reformë më të thellë, e cila të përfshijë edhe zvogëlimin e numrit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në të paktën 101 deputetë.
Ndërsa jemi të gatshëm të diskutojmë edhe propozime të tjera të natyrës kushtetuese për Kuvendin e Shqipërisë, si vend anëtar i BE-së.
Reforma e fundit administrative-territoriale u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë më 31 korrik 2014, vetëm me votat e shumicës dhe të një pjese të opozitës që pranoi të bashkëpunonte.
Pas tre mandatesh, në zgjedhjet vendore 2027 duhet të shkojmë me ndarjen e re administrative-territoriale. Prandaj, komisioni i posaçëm parlamentar i Reformës Administrative Territoriale duhet të sjellë për votim brenda kësaj legjislature ndarjen e re, e cila të udhëhiqet nga nevoja e thellimit të reformës aktuale, duke reflektuar dhe ndryshimet shumë domethënëse të këtyre viteve, që nga demografia por edhe te teknologjia, me fokus kryesor gjithmonë mirëpërgatitjen e nivelit tonë vendor për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian, ku duhet të kemi pa asnjë mëdyshje një cilësi të re të proceseve të qeverisjes vendore.
Komisioni i kësaj reforme, i referohem komisioneve të posaçme, duhet të punojë me të njëjtin intensitet si komisionet e përhershme, duke intensifikuar konsultimet publike. Duhet ta bëjmp të qarte sot se formulën e bashkëdrejtimit të këtij komisioni dhe të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore e kemi miratuar me dakordësi. Por, në asnjë rast, nuk kemi dhënë dakordësi për të mos bërë asgjë.

Ne jemi gati t’ju dëgjojmë në respekt të atyre që ju kanë zgjedhur, por ne nuk do të jemi asnjëherë të gatshëm të presim këdo qoftë, as edhe një minutë, nëse nuk doni të punojmë së bashku, qoftë për këto dy reforma, qoftë për reforma të tjera. Nuk kemi asnjë ditë për të humbur.
Nga e hëna, 19 janar, dita e parë e këtij sesioni të dytë të legjislaturëse së 11-të , deri në të enjten e fundit të korrikut 2026, duhet të fillojë dhe të mbarojë diskutimi dhe miratimi i Ligjit organik për funksionimin dhe organizimin e Kuvendit, siç e tha dhe kryetari i kuvendit dhe ai i partisë.
E përsëris, pas 35 vitesh, pas 10 legjislaturave dhe 1 136 njerëzve të zgjedhur deputetë në vitet e jetës demokratike, që Kuvendi i Shqipërisë miraton e nxjerr ligje për të gjithë, por nuk e ka ende ligjin e vet. Nuk ka pavarësinë e vet financiare, nuk ka status të deputetëve të vet siç i ka hije një vendi anëtar të BE, nuk i referohem ofiqeve por një statusi për të kryer funksionet.
Në seancën e fundit të legjislaturës së kaluar, Kuvendi ka miratuar “Strategjinë Kombëtare kundër Ndërhyrjeve të Huaja dhe Dezinformimit 2025–2030”, pas një pune për t’u lavdëruar të Komisionit të Posaçëm. Është me shumë rëndësi që çdo komision i përhershëm i Kuvendit të kthehet në instrument në duart e qytetarëve për të kuptuar të vërtetat, gjysmë të vërtetat dhe gënjeshtrat me bisht që serviren si të vërteta çdo vit.
Në sesionin e kaluar u arrit një ndryshim i shumëpritur, i shumëdiskutuar, i komisioneve të përhershme parlamentare. Besoj se na mjaftuan këto 3 muaj për të na dhënë të drejtë në nevojën e kësaj ndarjeje të re, por mbi të gjitha për komisionet e reja të ngritura, si rrjedhojë e kësaj faze sfiduese të Shqipërisë në prag të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Komisionet që erdhën me fusha të reja mbulimi i kanë dhënë mundësinë e munguar ndër vite Kuvendit të jetë më efektiv në monitorimin post-legislacion. Është mbresëlënës numri i konsiderueshëm i peticioneve/ankesave të qytetarëve të mbërritura në komisionin e përhershëm përkatës. Ndërsa ngritja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën na imponon një marrëdhënie më të fortë për të qenë syri dhe veshi i shqiptarëve në çdo cep të globit. Por kjo nuk duhet të mbetet thjesht te emri i komisionit por në një punë shumë më aktive.
Na duhet të bëjmë disa ndryshime në përbërjen e komisioneve, me qëllim shmangien e përplasjeve të orareve për anëtarë të caktuar, të cilët e kanë të pamundur të jenë njëkohësisht në dy komisione.
Duhet të ngremë edhe nënkomisionet e pangritura ende që ka qenë dhe objektivi im si kryetar grupi, për të garantuar një punë reale dhe profilizim të deputetëve për çështje dhe fusha të caktuara. Në këtë sesion të ri duhet që edhe Këshilli i Integrimit Europian të luajë rolin e vet të ngarkuar nga ligji i posaçëm. Edhe administrata e Kuvendit duhet të jetë më shumë mbështetëse për deputetët në këto çështje.
Duke reflektuar mbi të shkuarën e afërt të punës së Kuvendit të Shqipërisë,
Rekomandimi kryesor dhe kërkesa ime e parë për çdo anëtar të Grupit tonë Parlamentar është pjesëmarrja e rregullt dhe aktive në seanca, komisione dhe mbledhje grupi.
Diskutimet duhet të jenë komunikim me njerëzit, duke e shfrytëzuar më mirë avantazhin e sotëm të komunikimit përmes rrjeteve sociale.
Së treti, duhet një pjesëmarrje më aktive e ministrave në mbledhjet e Grupit Parlamentar, për të informuar, sqaruar dhe pajisur trupën tonë kuvendore me armët e të vërtetave kundër makinerisë së shpifjeve, baltës dhe dezinformimit keqdashës.
Edhe gjatë sesionit të kaluar, në sallën e Kuvendit, kemi konsumuar pafund politikë, për luftëra pakuptim interesash partiake të palës tjetër,por ata nuk kuptojnë që për ne më të rëndësishëm janë njerëzi.
Seanca e fundit e dhjetorit ishte një rikthim, një déjà-vu.
Prandaj, i vetmi ilaç mbetet zbatimi strikt i Rregullores së Kuvendit. Kush kujton se duhet ta mbajmë mirë me Saliun e ka shumë gabim. Ne duhet ta mbajmë mirë me Shqipërinë dhe shqiptarët nuk e pranojnë dot atë pamje në Kuvend.
Nga ajo sallë, njerëzit presin tjetër gjë.
Është e vërtetë që kjo sallë është aula e debatit politik, por detyra jonë kryesore është që debati të fokusohet tek anëtarësimi në BE, te detyra, kritetet, pasaporta europiane dhe jo te shterpësia politike.
Detyra jonë është, si në çdo parlament të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, të diskutojmë mbi alternativat dhe projektet.
Mbi çdo projekt apo propozim tonin, të shumicës, pakica mund të ketë idetë apo alternativën e vet. Ne vijmë me një propozim konkret,ata mund të kenë propozimin apo idenë e tyre.
Zonjat dhe zotërinjtë e opozitës,
Mos humbisni kohë kot me thirrje dhe përbetime revolucionesh që nuk kanë për të ndodhur kurrë.
Mos humbisni kohë kot as me “shtrimin e tapetit” të alibisë për humbjen e radhës.
Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ata për çështje të rëndësishme, për t’i dhënë Shqipërisë një Kod të ri Zgjedhor sipas standardeve më të mira zgjedhore, ndarje administrative-territoriale funksionale dhe gjithçka tjetër.
Por ata duhet ta fiksojnë mirë në mendje: vëmendja jonë është te Pasaporta Europiane për çdo qytetar shqiptar, brenda kësaj dekade.
Ne e dimë që rezultatin zgjedhor apo fitoren nuk e vendos asgjë tjetër, përveç vullnetit të zgjedhësve.
Të jesh në opozitë do të thotë të bësh pjesë në një institucion serioz.
Vëmendja jonë janë njerëzit; me ju jemi gati të punojmë së bashku për çfarë por siç e tha kryetari Rama,ne nuk kemi jo ditë por as orë për të humbur.
Ka qenë një ndër sesionet më intensive.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!