Mbledhja e Alibeajt, Boçi: Po tenton të legjitimojë procesin tallës të Ramës për presidentin

schedule16:39 - 9 Maj, 2022

schedule 16:39 - 9 Maj, 2022

Luçiano Boçi, ka kundërshtuar mbledhjen e grupit parlamentar të PD, thirrur nga Enkelejd Alibeaj. Boçi, i cili është gjithashtu nënkyetar grupi, në një postim në rrjetet sociale shprehet se tentativa e Alibeajt për të legjitimuar procesin tallës të Ramës, siç thotë ai për zgjedhjen e presidentit nuk mund të vazhdojë.

Sipas Boçit, çdo rol që udhëzohet e zbatohet për interes të Ramës bie ndesh me interesat e demokratëve. Deputeti thekson më tej se politikisht procesin e orienton Keshilli Kombëtar dhe grupin e negociatave e përcakton Komisioni i Rithemelimit.

“Tentativa e disatë e Alibeajt për të retushuar e legjitimuar procesin tallës të Ramës për zgjedhjen e Presidentit, duke futur në lojë me zor një pjesë të Grupit Parlamentar, nuk mund të vazhdojë.

Çdo rol që udhëzohet e zbatohet për interes të Ramës bie ndesh me interesat e demokratëve dhe të publikut.

Politikisht procesin e orienton KESHILLI KOMBËTAR dhe grupin e negociatave e përcakton KOMISIONI I RITHEMELIMIT.

Asnjë i komanduar apo i emëruar tjetër e nga të tjerë nuk mund të dalë mbi ketë organ.

Kriteret e redaktuara në zyrat e pushtetit e të paraqitura në mënyrë të gënjeshtërt si mendime të PD, nuk mund të shiten për standarte e parime e as për procedurë.

Ato janë thjeshtë manipulime individësh që për interesa e axhenda personale duan të bëhen pjesë e farsës tallëse të Ramës, që ky i fundit të fusë në xhep lehtësisht kukullën e rradhës”, shkruan Boçi.

Lexo edhe: Presidenti i ri/ Alibeaj mbledh grupin e PD-së, të pranishëm 21 deputetë, cilët mungojnë?

Enkelejd Alibeaj thirri sot mbledhjen e grupit parlamentar të PD, ndërsa morën pjesë vetëm 21 deputetë. Deputetët u mblodhën për të diskutuar mbi draftin e propozuar nga Alibeaj për zgjedhjen e presidentit të ri. “Rithemelimi” bojkotoi sërish, pasi nuk e njeh Alibeajn si kryetar grupi. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!