“Mbivlerësimi i lekut”, Arben Shkodra: Sot jemi pa busull, të investojmë tek produkti “Made in Albania”

schedule18:19 - 30 Janar, 2020

schedule 18:19 - 30 Janar, 2020

Tërmeti dhe mungesa e investimeve janë kthyer në një ngërç për rritjen ekonomike të Shqipërisë. Pavarësisht se qeveria parashikon një rritje ekonomike 4.1% në 2020 parashikimet e institucioneve ndërkombëtare janë më pesimiste dhe sipas Bankës Botërore rritja parashikohet të jetë vetëm 3.5%. Gjatë një prezantimi të mbajtur në Forumin Ekonomik në Tiranë Banka Botërore i ka bërë apel qeverisë që të përmirësojë klimën e të bërit biznes si dhe të rrisë investimet në infrastrukturë, arsim e shëndetësi.

I ftuar në studion e “ABC News”, sekretari i përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptar, Arben Shkodra theksoi se raporti i BB tregoi që i kemi humbur disa pozicione, ndërsa u shpreh se sot kemi ulje të eksporteve nga mbiçmimi i lekut.

“Ky është raporti i përvitshëm i Bankës Botërore, ne kemi humbur pozicione. I referohemi vendeve të rajonit si Maqedonia që kanë pasur rritje. Taksat janë rishikuar çdo vit. Kemi dhënë alarmin në disa momente. Kur leku është i dobët duhet të përfitojmë te importet, por kjo ndikon tek eksportet sepse shet më pak”, u shpreh Shkodra.

Pyetje: I kujt është faji që është mbivlerësuar leku?

Shkodra: Nuk kemi një dorë të drejtëpërdrejtë të qeverisë. Mendojmë që është prezencë e panjohur në treg. Kemi prezencë të euros në mënyrë okulte. Nuk po shohim një studim të Bankës së Shqipërisë dhe as ndonjë analizë nga ana e qeverisë të tregojë se jemi gabim. Përtej çfarë thonë opozita apo politika, sot kemi ulje të eksporteve nga mbiçmimi i lekut. Një element tjetër është se kemi një ndryshim, një shtyrje të porosive që mund të jenë për shkaqe gjeopolotike apo edhe ekonomike.

Shkodra gjithashtu thkesoi se vendi nuk ka një model ekonomik të shkruar për të treguar se cila do të jetë ekonomia shqiptare. “Kjo vlen edhe per investitorët e huaj edhe për ata shqiptarë. Jemi në vendin 82 sepse jemi pa busull sot”, theksoi ai.

 “Bumi i ndërtimit”, lejet e ndërtimit që po jepen.

“Kur ulesh në karrgen e zyrtarit ke angazhime, sa i përket pastrimit të parave nëse e çel atë dritare nuk mund të kesh një filtër të mirë. Duhet të mos thyesh disa marrëveshje me partnerët ndërkombëtarë pasi ka detyrime të luftosh paratë e drogës. Orientimi i këtij fluksi paraje duhet të jetë drejt ekonomisë prodhuese duhet të investojmë tek produkti vendor, jo vetëm te investimet që garantojnë produkt të përkohshëm”, deklaroi Shkodra.

Çfarë jemi të aftë të prodhojmë?

Ne prodhojmë sot bimë medicinale të cilat kanë kapur tregje e europës, prodhojmë fruta perime. Kemi brende shqiptare në tekstil dhe lëkurë ku edhe kemi kapur tregje të mëdha. Jemi prodhues shumë të mirë të vajit të ullirit, tre nga prodhuesit tanë kanë fituar vende shumë të mira. Sot në eksport po dalin investitorët që janë futur në bujqësi, çfarë mund të bëjë qeveria: “Të mos e nxisë dhe përkëdhelë një individ fermer me një lopë, por të kërkohët bashkimi. Qeveria 30-vjeçare duhet të kishte përfunduar disa detyra.

Sa i përket konferencës së donatorëve për procesin e rindërtimit ai theksoi se ky proces mund të zgjasë dy vite. E gjithë shuma në të njëjtën kohë e trondit tregun, por do të ketë një lloj përshkallëzimi. Procesi i rindërtimit duhet të përqëndrohet te ekonomia prodhuese e dëmtuar, kanë mbetur pa punë njerëz. Ne presim që qeveria të fokusohet të përdorimi i produkteve “Made in Albania”, për rindërtimin të përdoren asetet që ne kemi”, tha ndër të tjera Shkodra./abcnews.al