Qeveria e Kryeministrit Kanadez Mark Carney arriti ti mbijetojë një votëbesimi në parlament të hënën, pasi buxheti I ri I prezantuar nga kjo qeveri arriti të miratohej me një diferencë minimale. Ky buxhet synon të rigjallërojë ekonominë e vendit e cila po përballet me presionin e tarifave doganore të vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikë.
Miratimi i buxhetit u mundësua falë mbështetjes së disa deputetëve të opozitës, të cilët kërkuan të shmangin shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Përfundimisht, projektbuxheti u miratua me 170 vota pro dhe 168 kundër, duke i lejuar Carney-t të mbetet në pushtet.
Buxheti i ri parashikon dhjetëra miliarda dollarë në investime shtesë për infrastrukturën tregtare, mbrojtjen dhe strehimin, ndërsa paralelisht synon tkurrjen e sektorit publik. Për shkak se liberalët e Carney-t nuk arritën të siguronin shumicën e 343 vendeve në zgjedhjet e prillit, qeveria është e detyruar të kërkojë mbështetje nga deputetë të opozitës për votimin e legjislacioneve te ndryshme. Votimet për buxhetin konsiderohen akte besimi dhe dështimi i tyre zakonisht çon në dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të reja.
Deri ditën e votimit, qeveria kërkonte ende dy vota shtesë nga opozita. Mbështetja vendimtare erdhi nga deputetja e vetme e Partisë së Gjelbër, Elizabeth May, e cila e drejtoi partinë për gati dy dekada. Ajo deklaroi se vendosi të votojë pro, pasi Carney e siguroi se qeveria do të mbetet e përkushtuar ndaj objektivave të Marrëveshjes së Parisit për reduktimin e emetimeve të karbonit.
Projektbuxheti i Carney-t parashikon gjithashtu rritjen e deficitit me 167.3 miliardë dollarë përgjatë pesë viteve të ardhshme, si rezultat i investimeve të mëdha në projekte kapitale dhe parashikimeve më të dobëta për të ardhurat nga taksat. Këto të fundit lidhen me uljet e mëhershme të tatimit mbi të ardhurat dhe me ngadalësimin e rritjes ekonomike, pasi ekonomia e bazuar në eksport e Kanadasë po ndikohet nga tarifat amerikane dhe kineze.

