Çdo ditë pranë zyrave të OSHEE-së në qytetin e Fierit ka fluks konsumatorësh që ankohen për mbifaturime, dëmtime matësash apo linjash të energjisë. Por nuk mungojnë edhe rastet absurde, kur qytetarët duhet të paguajnë faturat e konsumatorëve të tjerë.
Gazetarja Valbona Daci, pas një vëzhgimi të situatës raporton se telashet në zyrat e shtetit nuk kanë të sosur. Dhjetra ankesa depozitohen çdo ditë pranë zyrave të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në Fier në lidhje me faturat e kripura dhe ndërprerjen e energjisë elektrike.
Konsumatorët nuk pajtohen me gjobat, mbifaturime apo defektet e matësave të energjisë. Përballja e tyre me këtë shërbim hera herës është dhe qesharake, shprehen konsumatorët për abcnews.al.
Një konsumatore nga fshati Baltëz, thotë se është e detyruar të paguajë taskën e shërbimit edhe pse prej dy dekadash nuk jeton në Shqipëri.
Zyrtari i shërbimit ndaj klientit, Arjon Gjoni ka folur mbi trajtimin e ankesave. Sipas tij disa marrin zgjidhje në kohë të shpejtë, ndërsa të tjera më problematiket duan më shumë kohë, pasi duhen ndjekur disa procedura.
“Rastet e ndërlikuara përgjigja për të cilat kërkon një procedurë dhe kohë të caktuar janë të shumta por pjesën më të madhe të ankimimeve e zënë ato për mbifaturimet. Këto të fundit marrin zgjidhje në pak ditë nëpërmjet verifikimit të fotografive që faturistët bëjnë krahas leximit të matësave”, shprehet Gjoni.
Në këtë periudhë të vitit krahas problematikave të përherëshme për mbifaturime qytetarët ankohen edhe për linjat e energjisë apo matësat që dëmtohen prej motit të keq./abcnews.al