“Mbi supet e saj rëndojnë 8 dekada dhe 3 vite jo të lehta”, Thaçi dedikim të ndjerë nënës

schedule09:40 - 4 Gusht, 2020

schedule 09:40 - 4 Gusht, 2020

Sot për presidentin e Kosovës Hashim Thaçi është një ditë e veçantë, pasi nëna e tij feston 83-vjetorin.

Ai nuk ka nguruar ta urojë përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka publikuar një foto të përbashkët dhe e ka shoqëruar me disa fjalë vërtetë të ndjera.

Ndër të tjera Thaçi shprehet i lumtur që nëna e tij arriti të përjetojë ëndrrën më të madhe të të gjitha nënave të Kosovës, lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Postimi i plotë:

Nanë, gëzuar ditëlindja e 83-të

Nana sot i mbushi 83 vjet. Mbi supet e saj tashmë rëndojnë tetë dekada dhe tri vjet jete jo të lehta. Na ka rritur me shumë përkushtim, duke na e mësuar dashurinë për njëri-tjetrin, për familjen dhe mbi të gjitha për atdheun, përkundër vështirësive.

Në çdo hap të jetës sime më ka përcjell bekimi i saj. Më ka përcjell këshilla për një jetë të ndershme, me dinjitet, sepse njeriu ka vetëm një jetë.

Jam shumë i lumtur që ajo e përjetoi ëndrrën më të madhe të të gjitha nënave të Kosovës, lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. E përjetoi ëndrrën që mbesat dhe nipërit të rriten në Kosovën e sotme, të qetë dhe me ëndrra si gjithë moshatarët e tyre kudo në botën e lirë.

Sot nana është e rrethuar me dashurinë e pakufishme të trashëgimtarëve të shumtë, të cilët i dëshirojnë shëndet, pleqëri të mbarë dhe lumturi të pafund./abcnews.al