Mbi 700 shqiptarë pjesë e organeve amerikane të zbatimit të ligjit

schedule18:55 - 15 Qershor, 2023

schedule 18:55 - 15 Qershor, 2023

Para një dekade, numri i shqiptarëve në organet amerikane të zbatimit të ligjit ishte rreth 200.

Më 2023, sipas “Shoqatës Shqiptaro-Amerikane të Zbatimi të Ligjit”, kjo shifër ka arritur në mbi 700.

Zëri i Amerikës bisedoi me disa pjesëtarë të organeve ligjzbatuese në Nju Xhersi dhe Nju Jork, të cilët flasin mbi sfidat e karrierës së tyre dhe rëndësinë e shtimit të numrit të shqiptaro-amerikanëve me uniformën blu.

34 vjeçari Vezir Sela, e nisi karrierën e tij në organet amerikane të zbatimit të ligjit para 15 vitesh.

Sot, ai është oficer në zyrën e sherifit të bashkisë së Bergenit në Nju Xhersi, një punë me rrezikshmëri të lartë, që është jetike për sigurinë e komunitetit.

Bergeni përbëhet nga 70 komuna dhe është bashkia me numrin më të madh të banorëve në Nju Xhersi.

“Kurrë nuk e di se ku po futesh. Varet nga natyra e krimit dhe njerëzit. Ne duhet të sigurohemi që të gjitha pajisjet t’i kemi funksionale. Kamera e trupit duhet të jetë e karikuar. Makinat tona janë të pajisura me gjithçka, që nga ndihma mjekësore, armë, kompjuter dhe gjëra tjera”, thotë oficeri Sela.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, oficeri i lindur në Shtetet e Bashkuara, flet mbi sfidat në fillimet e karrierës së tij, kur ishte vetëm 19 vjeçar.

“Jam i pari në familjen time që jam bërë pjesë e organeve ligjzbatuese. Nuk dija se çfarë më priste. Nuk dija ku po futesha. Në akademinë policore, nuk dija si të vrapoja, si të qëlloja me armë. Ishte një sfidë e madhe për gjashtë muaj. Më është dashur shumë punë dhe përkushtim. Kisha mentalitetin e një të riu. Por jam i lumtur, që e kam filluar karrierën në moshë të re”, thotë ai.

Vite pas, numri i pjesëtarëve të familjes Sela në organet amerikane të zbatimit të ligjit u rrit.

Hadis Sela është oficer i forcave speciale (SWAT) në bashkinë e Hadsonit në Nju Xhersi.

Ndërsa Adem Sela është detektiv në zyrën e Prokurorit në bashkinë e Paseikit në Nju Xhersi.

“Në përgjithësi, jemi gjashtë anëtarë të familjes Sela që jemi punonjës policie në Nju Xhersi. Jemi në komuna të ndryshme. Kjo është një punë profesionale, do dinjitet dhe shumë punë. Është punë që njihet, ndryshe nga punët tjera, pra respekti është më i madh”, thotë oficeri Hadis Sela për Zërin e Amerikës.

“Është një detyrë shumë e rëndësishme për ne shqiptarët, që të tregojmë se jemi punëtorë të mëdhenj. Se jemi të gatshëm të shërbejmë për këtë vend, për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe komunitetet tjera gjithashtu. Presim që të tjerë shqiptarë t’i bashkohen organeve të zbatimit të ligjit. Si vend pune, është një karrierë e mrekullueshme, takon shumë njerëz, merresh me shumë gjëra. Asnjë ditë nuk është monotone”, thotë detektivi shqiptaro-amerikan Adem Sela.

Shtimi i numrit të shqiptaro-amerikanëve në organet e rendit është një nga qëllimet kryesore të “Shoqatës Shqiptaro-Amerikane të Zbatimi të Ligjit”, e themeluar më 2019, një organizatë mbarëkombëtare që mbështet shqiptarët që duan të nisin një karrierë në policinë amerikane.

“Tani jemi si nata me ditën. Më përpara, kur kishim nevojë për një përvojë, ose këshillë, nuk mund ta gjeje dot. Tani është fare e thjeshtë”, thotë Elton Shametaj, themeluesi i shoqateës

Sipas zotit Shametaj, para një dekade numri i policëve shqiptaro-amerikanë ishte rreth 200, ndërsa tani ky numër ka shkuar në mbi 700 pjesëtarë.

Ai thotë se gati një në 30 pjesëtarë është grua.

Në përgjithësi, shton zoti Shametaj, shoqata ka rreth 2 mijë aplikime nga shqiptaro-amerikanë të interesuar t’u bashkohen organeve të rendit.

“Falë zotit këtu në Amerikë vetëm qielli është kufiri. Ne, si të gjithë tjerët, jemi shumë të integruar. Shqiptarët mund të ankoheshin më përpara, por shqiptarë tani ke në Shtëpinë e Bardhë, tek FBI-ja (Byroja Federale e Hetimeve), ATF-ja (Byroja për Alkoolin, Duhanin, Armët dhe Eksplozivët), në Departamentin e Drejtësisë, shqiptarë ke kudo”, thotë themeluesi i kësaj organizate Elton Shametaj.

Këta zbatues të ligjit, megjithëse shumica prej tyre kanë lindur në Shtetet e Bashkaura, mbajnë lidhje të forta me shqiptaro-amerikanët, përmes pjesëmarrjes në pothuajse çdo organizim të komunitetit.

“Baba më ka mësuar që të mos e harroj kombin, të mos e harroj vendin dhe traditën. Të dish gjuhën tënde, sepse jemi shqiptarë. Prejardhjen mos e harroni, të jemi pranë vendit tonë dhe të jemi bashkë, që të përparojmë si shqiptarë”, thotë shqiptaro-amerikani Azmi Toska, që për tetë vite shërben si oficer policie në bashkinë e Hadsonit në Nju Xhersi.

Sipas tyre me rritjen e numrit të shqiptarëve në organet ligjzbatuese, po ndryshon edhe perceptimi i shoqërisë amerikane për shqiptarët.

“Çdo vend ka qytetarë që marrin pjesë në aktivitete të ndryshme kriminale. Shqiptarët, në çdo film që e kemi parë, janë portretizuar si kriminelë, gjë që nuk është e vërtetë. Ne jemi njerëz familjarë, jemi punëtorë të mëdhenj. Angazhimi në organet e zbatimit të ligjit është një karrierë me të cilën duhet të mburremi. Kërkon guxim, krenari dhe përkushtim”, thotë Altin Çeloaliaj, detektiv në Autoritetin e Portit të Nju Jorkut dhe Nju Xhersit.

“Ato epitete që na kanë vënë si shqiptarë, kur kemi ardhur në fillim kanë qenë thjeshtë të momentit. Ne po e tregojmë veten në këto vitet në vazhdim se cilët jemi në të vërtetë. Po tregojmë se jemi zbatues të ligjit, duam punën e mirë dhe se duam të bëjmë diçka të dobishme”, shton Besmir Sajdarasi, oficer policie në Stejtën Ajllënd të Nju Jorkut.

Shoqata Shqiptaro-Amerikane e Zbatimit të Ligjit shërben edhe si urë lidhëse midis organeve amerikane të rendit me policitë e Shqipërisë dhe Kosovës./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!