Mbi 500 persona janë ekzekutuar në tre vitet e fundit nga forcat qeveritare në Venezuelë. Akuza është ngritur nga një panel i OKB-së, që akuzon regjimin se ka përdorur vrasjet në masë si instrument politik, për të treguar se po lufton krimin.
Agjencia e OKB-së për të drejtat e njeriut ka akuzuar forcat e sigurisë në Venezuelë se kanë kryer disa qindra ekzekutime arbitrare për llogari të qeverisë, nën pretekstin se po luftojnë krimin. Në një raport të agjencisë citohen rastet e shumë të rinjve të vrarë në tre vitet e fundit në lagjet e varfëra, gjatë operacioneve të policisë.
Shefi i agjencisë, Zeid Raad al Husein ka deklaruar se për këto ekzekutive në masë nuk ka mbajtur përgjegjësi askush dhe se sundimi i ligjit në vendin latin ka qenë inekzistent. Këshilli për të drejtat e njeriut insiston se vrasjet në formën e një vetëgjyqsie janë kryer nga oficerët e Njësisë operative për çlirimin e popullit, që “de jure” ka për detyrë të luftojë krimin.
Sipas raportit, oficerët mund të kenë vrarë mbi 500 persona që prej korrikut 2015, duke zgjedhur dhunën si mjetin për të reklamuar rënien e kriminalitetit. Madje, vijon dokumenti, ata mund të kenë manipuluar provat për të treguar sikur viktimat humbën jetën në një shkëmbim zjarri. Hetuesit e OKB-së nuk janë lejuar të hyjnë në Venezuelë, por e kanë përgatitur raportin e tyre bazuar në dëshmitë e rreth 150 qytetarëve, familjarë të viktimave, të kontaktuar përmes internetit./abcnews.al