Forcat e sigurisë shpëtuan të enjten gati 350 fëmijë të cilët ishin rrëmbyer në Nigerinë veriperëndimore, tha guvernatori i shtetit Katsina.
Ka dyshime se djemtë mund të jenë rrëmbyer nga ana e grupit militant Boko Haram. Të premten e kaluar, persona të armatosur bastisën Shkollën e Mesme Shkencore të Qeverisë në Katsina me motor dhe dërguan djemtë në pyllin Rugu, në incidentin më të madh të tillë në rajonin nigerian.
Masari tha se një total prej 344 djemsh ishin liruar në shtetin fqinj Zamfara. Ai nuk tha sa kishin humbur ose si u liruan. Ai u shpreh se forcat e sigurisë kishin rrethuar zonën ku djemtë mbaheshin dhe u ishin dhënë udhëzime për të mos qëlluar. Djemtë pritet që të bashkohen me familjet.
Punonjësi shëndetësor në pension Shuaibu Kankara, djali 13-vjeçar i të cilit Annas Shuaibu ishte midis djemve të rrëmbyer, nuk mund ta përmbajë gëzimin e tij me lirimin e vogëlushëve.
“Unë jam shumë i lumtur,” tha ai. “Ne jemi shumë mirënjohës guvernatorit të Katsina dhe të gjithë atyre që punuan shumë për të siguruar lirimin e djemve”.
Presidenti Muhammadu Buhari mirëpriti lirimin e tyre dhe kërkoi durim ndërsa administrata e tij merrej me çështje të sigurisë. “Ne kemi shumë punë për të bërë,” tha ai në një deklaratë. Rrëmbimi ishte i vështirë për Buharin, i cili vjen nga Katsina dhe ka thënë vazhdimisht se Boko Haram është “mundur teknikisht”./abcnews.al