Mbi 30 vjet pa investime, rruga e fshatit turistik të Peshtanit në gjendje të mjerueshme

schedule13:10 - 21 Shtator, 2020

schedule 13:10 - 21 Shtator, 2020

Vetëm 20 kilometra larg Beratit dhe 12 km nga Policani, fshati Peshtan i bekuar nga natyra është lënë në harresë përgjatë gjithë viteve të demokracisë.

I rrethuar nga rreth 50 mijë pemët e ullirit nga të cilat prodhohet 100 ton vaj dhe vreshta është banuar që në shekullin  gjashtë para dyndje të sllavëve. Për të shkuar në zemër të fshatit duhet të marrësh këtë rrugë të degraduar vetëm 3.4 km.

Madje na u desh të linim në mes të saj mjetin dhe të ecnim më këmbë deri brenda në fshat. U takuam me banorë që treguan se dhe çakull për të mbuluar gropat ka një dekadë që nuk është hedhur.

“Rruga është copë-copë ka 10 vjet që nuk i është hedhur asgjë. Me makinë të vogël nuk vihet këtu. Të vihet dorë njerëzit kanë ikur jashtë shtetit”, thotë njëri prej tyre.

Po iki më këmbë s’vijnë as makina. Rruga është shumë e keqe. U bën shumë vjet pa investim”, ankohen banorët e fshatit.

Hera herës përballen dhe me bllokim të mjeteve si në këtë rast.

“Shih si jemi bërë varg. Një pengesë të ketë, ngelesh, një shi të bjerë s’ngjitet dot makina lart. Harxhon lekët për makinë paguajmë taksa dhe një rrugë s’kemi”, ankohet në tjetër.

Edhe një përpjekje nga ana e banorëve për të mbledhur lekë vetë dhe ta rregullojnë ka dështuar, pasi ekonomikisht po rrënohen. Nuk shesin dot produktet.

“Zona prodhon ullinj dhe rrush, për ti çuar në treg është e vështirë prej rrugës, duhet ti marrësh me haivanë dhe t’i hipësh në autobus, ose me makinë të madhe fuoristradë 4.4”, thotë një banor.

“Prej rrugës nuk na vjen asnjë lart që t’ju shesim mallin ullinjtë rrushin”, thotë një tjetër.

“Nëse shtrohet rruga do dalin me tonelata ullinj, me tonelata rrush, është vend prodhues”, shprehen ata.

Ata ankohen dhe për një mungesë tjetër jetike siç është uji në një kohë që burimet në malin Tomor janë të shumta.

“Gjynah që s’kemi dhe ujë të pijshëm është e mali për 10 milionë lekë për të sjellë tubacionet” , tregojnë banorët.

Kjo rrugë dikur i lidhte dhe me fshatin Drenovë por kohët e fundit jo më.

Të zhgënjyer nga premtimet elektorale e kanë ndarë mendjen që pa u ndërtuar rruga nuk do votojnë më.

Vjen njëra parti vjen tjetra marrin votat dhe ikin s’duam t’ja dimë më për parti. Po nuk u bë rruga s’do pranojmë asnjë parti asnjë deputet ta dijë parlamenti, kryeministri dhe presidenti”. Thirrje i bëjmë shtetit, bashkisë të bëjnë diçka, se vijnë për të marrë votat. Nuk do ti pranojmë të vijnë t’u japim më, na gënjejnë, na mashtrojnë me votat për të na mbushur mendjen. Të shtrojnë rrugën njëherë pa të vijnë për votat”, deklarojnë ata.

Rruga mban peng dhe zhvillimin e turizmit.

Një nga dy çezmat në këtë fshat tregojnë lashtësinë e këtij vendbanimi.

Ato janë me shënime sllave të ndërtuara gjatë pushtimit osman. Ndërsa ndodhet dhe një varr monumental.

Është një nga fshatra më të bukur këtu afër Malit të Tomorit ka vlera të paçmueshme si zonë turistike. Prodhimet që ka ky fshat si ka asnjë”, tregojnë banorët.

Pas ankesave të banorëve u interesuam pranë Bashkisë së Poliçanit dhe mësuam se është gati që prej vitit 2013 një projekt për zhvillimin e të gjitha fshatrave të njësisë administrative Vërtop ku bën pjesë dhe fshati Peshtan.

Vlera e përllogaritur për rrugën e Peshtanit është mbi 265 milionë lekë, por burime nga bashkia thonë se mungojnë fondet./abcnews.al