India ka regjistruar numrin më të lartë ditor të viktimave që prej fillimit të pandemisë, një ditë pasi regjistroi më shumë se 400 mijë raste të reja për 24 orë.
Ministria e Shëndetësisë në Indi ka raportuar se kanë ndërruar jetë 3.689 persona brenda 24 orëve të fundit. Kryeministri i Indisë, Narendra Modi për shkak të emergjencës shëndetësore në vend ka kryer një takim urgjent me Ministrin e Shëndetësisë për të përgatitur një plan menaxhimi për situatën kritike.
Ndërkohë, spitalet në Indi po përballen me një mungesë të theksuar të mjeteve për të kuruar pacientët e sëmurë nga Covid-19. Drejtorët e spitaleve kanë raportuar për pamjaftueshmëri shtretërish dhe oksigjeni.
Teksa mjetet spitalore mungojnë prej më shumë se 10 ditësh, morgjet dhe krematorimet janë të mbingarkuar. India është vendi I katërt në botë në listën e vendeve më të goditur nga koronavirusi. Që prej fillimit të pandemisë, autoritetet shëndetësore kanë regjistruar 215 mijë viktima nga covid. Të shtunën, në Indi nisi fushata e vaksinimit për grup-moshën mbi 18 vjeç.
Megjithatë, autoritetet shëndetësore kanë njoftuar për pamjaftueshmëri vaksinash. Aktualisht në Indi janë injektuar 155 milionë doza te 127 milion persona. Rreth 9.2% e popullsisë së Indisë ka arritur të marrë dozën e parë të vaksinës.
Në një intervistë për mediat Indiane, virologu I famshëm amerikan Anthony Fauci ka sugjeruar se India duhet të aplikojë një mbyllje totale të vendit për disa javë, në mënyrë që të frenojë valën shkatërrimtare që e ka kapluar. Nga ana tjetër, qeveria e Indisë po nguron të marrë një vendim të tillë, pasi masat drastike të ndërmarra një vit më parë shkaktuan dëme të rënda në ekonominë e vendit. /abcnews.al