Mbi 150 viktima nga përmbytjet, ekspertët fajësojnë qeverinë gjermane: Qytetarët nuk u njoftuan

schedule19:59 - 18 Korrik, 2021

schedule 19:59 - 18 Korrik, 2021

Ekspertja britanike e përmbytjeve Hannah Cloke, profesoreshë e hidrologjisë në Universitetin e Reading, i ka dhënë qeverisë federale dhe sistemit gjerman të mbrojtjes civile përgjegjësinë e përbashkët për pasojat shkatërruese të përmbytjes.

Sipas të dhënave, sistemi europian për paralajmërimin e përmbytjeve dha alarmin më 10 korrik, katër ditë para fillimit të përmbytjeve duke u dërguar paralajmërime qeverive gjermane dhe belge.

Sipas “The Times”, Gjermania e dinte që përmbytja po vinte por paralajmërimet nuk funksionuan. Hannah Cloke deklaroi se sistemi i përhapjes së alarmit duhet të kishte qenë më efikas që njerëzit të kuptonin paralajmërimet.

“Nuk ka kuptim të kemi modele të mëdha kompjuterike që parashikojnë se çfarë do të ndodhë nëse njerëzit nuk dinë çfarë të bëjnë kur ndodh përmbytja . Fakti që njerëzit nuk janë evakuuar ose nuk kanë marrë paralajmërimet e duhura tregon që diçka ka shkuar keq“, u shpreh ajo

Me përjashtim të komunave individuale, një ditë para katastrofës ata ishin “paralajmëruar për sasi shiu deri në 200 litra për metër katror”. Katër ditë pas stuhive shkatërruese në Rhineland-Palatinate dhe North Rhine-Westphalia, numri i të vdekurve është rritur në më shumë se 150.

Sipas policisë, të paktën 110 njerëz humbën jetën dhe 670 u plagosën vetëm në rrethin Ahrweiler. Në Nordrhein-Westfalen, numri i viktimave të konfirmuara deri në mesditën e së Dielës ishte 46, duke përfshirë katër zjarrfikës. m.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!