Amerika Latine dhe Karaibet kanë regjistruar më shumë se 1 milion viktima nga Covid-19, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins. Shefja e Organizatës së Shëndetit Amerikan (PAHO), Carissa F. Etienne, e cilësoi numrin e viktimave si një “moment historik tragjik”.
Ajo i ka bërë thirrje qeverive të rrisin përpjekjet për të vaksinuar rajonin. Analiza e CNN bazohet në shifra nga Johns Hopkins dhe ministritë lokale të shëndetësisë.
Të dhënat për Amerikën Latine dhe Karaibet përfshijnë vendet e mëposhtme: Brazil, Peru, Kili, Meksikë, Kolumbi, Argjentinë, Ekuador, Bolivi, Panama, Republika Dominikane, Guatemalë, Honduras, El Salvador, Venezuela, Kosta Rika, Haiti, Paraguai, Nikaragua, Kuba, Uruguai, Xhamajka, Surinami, Guajana, Trinidad dhe Tobago, Bahamas, Barbados, Antigua dhe Barbuda dhe Belize.
Rajoni përfshin vende dhe territore të tjera, por ato kanë regjistruar pak ose asnjë viktimë nga Covid-19. PAHO tha se pothuajse 89% e vdekjeve ndodhën në pesë vende: Brazil (44.3%), Meksikë (22.1%), Kolumbi (8.3%), Argjentinë (7.3) dhe Peru (6.7%). Tre përqind e vdekjeve u regjistruan në Amerikën Qendrore dhe 1% në Karaibe.
Më shumë se 153 milion njerëz janë imunizuar në Amerikë, por vetëm 21.6% e tyre janë në Amerikën Latine dhe Karaibe, tha PAHO. Etienne gjithashtu u bëri thirrje qeverisë të zbatojnë masat e shëndetit publik, duke përfshirë mbajtjen e maskave, distancën shoqërore, higjienën e duarve dhe ventilimin e hapësirave të mbyllura kur është e mundur.
Ajo u bëri thirrje njerëzve të vaksinohen, duke shtuar, “Vaksinat janë të sigurta dhe efektive dhe një mjet kryesor për të ndaluar këtë pandemi.“/abcnews.al