Mbetjet toksike, “Kurum” nën hetim/ Prokuroria: Kontrabandë me mallrat e ndaluara

schedule15:07 - 24 Gusht, 2024

schedule 15:07 - 24 Gusht, 2024

Prokuroria e Durrësit ka shtrirë hetimet për skandalin e transportit nga porti i Durrësit të mbetjeve toksike duke sekuestruar të gjithë dokumentacionin e kompanisë private Kurum International që dyshohet se ka prodhuar edhe mbetjet toksike që më pas i ka shitur tek një tjetër kompani që ka organizuar transportin në drejtim të Tajlandës.

Prokuroria ka identifikuar kompaninë “Sokolaj” shpk si eksportuese të këtyre mbetjeve, e cila merret me import-eksport mineralesh, që rezulton në pronësi të shtetases Gjovana Sokolaj. Kjo e fundit ka dëshmuar më herët se destinacioni i këtyre materialeve ishte shteti I Tajlandës dhe ka bashkëpunuar me kompania turke “Kurum International” që rezulton edhe prodhuese e këtyre mbetjeve. Edhe pse Sokolaj ka treguar se sasia prej 200 tonësh që iu ble kompanisë Kurum është dioksid hekuri dhe jo mbetje toksike  prokuroria pritet të kryejë akt ekspertimin në laborator të monstrave që janë ngarkuar në kontejner.

Hetimet po zhvillohen për akuzën e kontrabandës së mallrave të ndaluara ose të kufizuara, por deri në këtë fazë nuk ka ende persona nën hetim. Përveç sekuestrimit te dokumentacionit në kompanitë private, prokuroria ka kërkuar të dhëna edhe ne institucionet publike siç është Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore mbi praktiken e ndjekur për transportin e kontejnerëve. Momentalisht mësohet se anijet gjenden në Singapor, por autoritet atje nuk i kanë pranuar.

Nga ana tjetër prokuroria e Durrësit ka kërkuar informacion në rruge elektronike tek homologet në Singapor, por deri më tani nuk kanë marrë ende përgjigje.

Ndërsa ne Elbasan, kompania turke Kurum ka mbyllur dyert dhe ka pezulluar aktivitetin. Te pyetur nga ABC Neës, drejtues te saj thane se mbyllja nuk ka lidhje me çështjen e mbetjeve. 500 punonjës të dy uzinave të kësaj kompanie janë aktualisht pa pune, pas ndërprerjes se kontratës në menyre të njëanshme dhe pa asnjë sqarim nga kompania turke. “Kurum” nuk ka pranuar të japë shpjegim nëse bëhet fjalë për një pezullim të përkohshëm të punës në uzina, apo për ndërprerje të saj afatgjatë.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!