Mbetjet e naftës në Gjanicë, kontrolle për burimin e ndotjes

schedule15:23 - 3 Mars, 2019

schedule 15:23 - 3 Mars, 2019

Gjanica ndotet nga mbetjet e naftës në Fier, por megjithëse ka shumë denoncime nuk gjenden burime dhe firmat që e ndotin atë. Banorët ankohen për probleme me shëndetin. Ujërat e lumit Gjanica janë ende të ndotura nga derdhja masive e e hidrokarbureve dy ditë më parë, por shkaktarët mbeten të paidentifikuar.

Pas gjobave dhe kallzimeve penale që mjedisorët po i bëjnë kompanive të naftës në fier dhe mallakastër, këto të fundit kanë nisur një lojë kukafshehti. Në 24 orë kontrolle përgjatë shtratit të Gjanicës nuk është gjetur burimi i ndotjes.

Dyshohet se hidrokarburet këtë herë mund të jenë shkarkuar nga tubacione të fshehta ose me autobotë. Pikat e njohura nga ku derdhen mbetjet e naftes në lume, rezultuan të pastra.

Për qytetarët ndotja që sjell Gjanica e bën jetesën në Fier po aq të padurueshme sa në fshatrat e fushës naftëmbatjëse Patos Marinëz.

“Kur vjen aroma e kësaj ëshët gjynah t’i thuash Fier, duhet t’i thuash Sheqishte apo Marinëz, ose Kuçovë”.

Pasojat në shëndetin e banorëve janë konkrete. Probleme me frymëarrjen kanë pothuajse të gjitë ata që jetojnë përgjatë shtratit të Gjanicës.

“Unë jam azmatik, nga ndotja vijnë”.

“E kam ndjerë po s’kam ça i bëj”.

“Duhet të zgjidhet patjettër kaq kohë pa zgjidhje”.

Prej vitesh lumi Gjanica është kthyer në vend depozitimi mbetjesh hidrokarbure. Këto të fundit shkarkohen në lumë nga kompanitë privatë të naftës por edhe nga vetë Albpetrol. 3 muaj më parë inspektoriati mjedisor në Fier bëri kallëzim penal dhe gjobiti dy kompani nafte. Këto të fundit i janë shmangur pagesës së gjobës, ndërsa fati i hetimit të kërkuar prej prokurorisë mbetet i paqartë. Në këto kushte ujërat e lumit presin tonelata mbetjesh hidrokarbure. Shkaktarët përveçse të pandëshkuar tani po fshehin edhe gjurmët e këtij krimi mjedisor.

Gazetare e ABC News, Fier: Valbona Daci

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!