Mbështetje për sistemet e ngrohjes dhe ftohjes/ Miratohen 4 skema për panelet, pompat dhe ngrohjen qendrore

schedule14:36 - 28 Nëntor, 2024

schedule 14:36 - 28 Nëntor, 2024

Konsumatorët familjarë  do të mbeshteten me fonde nga buxheti i shtetit për të instaluar sisteme të ngrohjes dhe të ftohjes në banesat e tyre. Sipas vendimit, për sistemet diellore të ngrohjes së ujit financimi do të jetë  70% e vlerës së investimit, ose 140 mijë lekë, ndërkohë që për kaldajat me biomasë ose biokarburant, financimi do të jetë 20% e vlerës së investimit  ose  deri në 250 mijë lekë. Ndërsa për pompat e nxehtësisë  me ajër, ujë apo gjeotermale, financimi përfshin 20% të vlerës ose 600 mijë lekë. Për ngrohjen dhe ftohjen qendrore në banesa financimi përfshin 30% të vlerës së investimit ose tre milionë lekë. Mbështetja për investimin do të mbulojë në çdo rast vetëm një pjesë të kostos së nevojshme për blerjen dhe instalimin e teknologjive që shfrytëzojnë burime të rinovueshme energjie, për realizimin e ngrohjes dhe ftohjes. Kusht është që abonentët familjarë duhet të paraqesin dokumente të cilat vërtetojnë se konsumi mesatar i energjisë për vitin paraardhës është më i madh se 400 këh për çdo muaj. Gjithashtu duhet të paraqesin raportin e auditimit energjetik sipas ligjit për eficiencën e energjisë.

Klientët familjarë, që kërkojnë të aplikojnë për përfitimin e mbështetjes duhet të paraqesin një vërtetim ose kontratën ekzistuese me OSHEE/FSHU-në ku të jenë të klasifikuar si abonentë familjarë ose një historik të konsumit të energjisë prej të paktën 1 viti.

Konsumatorët, të cilët do të kualifikohen për përfitimin nga kjo skemë mbështetëse, do të duhet të përzgjedhin një nga subjektet e regjistruara pranë Agjencisë për Eficiencën e Energjisë për marrjen e shërbimit.

Nga kjo skemë nuk përfitojnë ata që i kanë banesat në proces legalizimi ose që janë debitorë ndaj OSHEE/ FSHU ose që nuk kanë paguar të gjitha taksat vendore./abcnews.al