“Mbështetja juaj më rrit besimin për medalje”, Calja flet para ditës së madhe

schedule11:18 - 27 Korrik, 2021

schedule 11:18 - 27 Korrik, 2021

Briken Calja është ndoshta shpresa e vetme për Shqipërinë për të marrë një medalje olimpike, të paktën ai është i vetmi, që e ka synuar këtë objektiv deri më tani nga 9 sportistët që marrin pjesë në Tokyo 2020.

Mesditën e nesërme peshëngritësi zbret në pedanë dhe garon në peshën deri në 73kg. Ai ka postuar një shkrim përkrah një video në Facebook, ku fansa dhe të afërm të tij i japin forcë, njofton orën e garës dhe premton maksimumin për të sjellë një medalje, që do ishte e para në historinë e Shqipërisë në Lojërat Olimpike.

POSTIMI – Erdhi dita që kam shumë vite që e pres!  Nesër në orën 12:45 ju ftoj të gjithëve të më ndiqni në Olimpiadën e Tokio 2020 ku do të garoj në peshën deri në 73 kg.

Jam jashtëzakonisht i qartë dhe i palëkundur në mendje se çfarë kërkoj nga kjo sfidë. Ndjej se pas vetes sime kam miliona zemra kuq e zi që më përkrahin dhe kjo do të jetë forca ime më e madhe dhe për të nderuar vlerat e Shqipërisë në botë jam gati të derdh gjak dhe djersë.

Kam marrë qindra mesazhe nga shqiptarë anembanë botës këto ditë dhe akoma më shumë më shtohet besimi dhe forca drejt një suksesi në këtë garë. Shihemi nesër dhe me besimin në Zot me vete shpresojmë që të kapim një rezultat historik! /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!