Mbështetja e Biden për Netanyahu, pengesë për paqen në Lindjen e Mesme

schedule11:30 - 20 Nëntor, 2023

schedule 11:30 - 20 Nëntor, 2023

Nga Simon Tisdall, The Guardian

Vuajtjet shkatërruese dhe të pamëshirshme të njerëzve në Gaza, që po shkaktohen nga reagimi i Izraelit ndaj mizorive të Hamasit të 7 tetorit, do të lënë gjurmë të përhershme tek të gjithë ata që janë dëshmitarë të kësaj.

Gjithashtu, mund të jetë i pariparueshëm dëmi politik i shkaktuar nga neveria në mbarë botën që po i kushton aleatit kryesor të Izraelit, presidentit të SHBA-së, Joe Biden, si dhe rendi ndërkombëtar i bazuar në rregullat e caktuara nga Perëndimi.

Javën e kaluar, Bideni në San Francisko përsëriti mbështetjen e tij të fortë për Izraelin. Ai tha se nuk e di se kur do të përfundojë sulmi në Gaza, ku janë vrarë deri më tani mbi 13 mijë palestinezë.

Për mbështetësit e armëpushimit, ishte një deklaratë tronditëse, duke pasur parasysh ndikimin nga prapaskena që SHBA-ja supozohet se ushtron mbi udhëheqësit e Izraelit, raporton abcnews.al.

Që nga sulmet e Hamasit që vranë rreth 1 300 njerëz, kryesisht civilë, është forcuar përshtypja se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, vërtet nuk i dëgjon amerikanët.

Ai vazhdon të refuzojë çdo formë të armëpushimit, derisa Hamasi mbetet i pamposhtur dhe izraelitët mbahen peng. Përkundër izolimit të dukshëm, Izraeli hodhi poshtë rezolutën e javës së kaluar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që bënte thirrje për pauza humanitare si “shkëputje nga realiteti në terren”.

As SHBA-ja dhe as Britania e Madhe nuk vunë veto ndaj rezolutës madje janë treguar gjithnjë e më kritikuese në deklaratat e tyre të fundit.

Kjo për shkak se po rritet presioni ndaj Biden për të ndërhyrë me forcë. Javën e kaluar këmbënguli se armëpushimi nuk ishte “real”, ndërsa tha se Hamasi kishte planifikuar më shumë mizori.

Por, nuk i vuri në dyshim shifrat e viktimave palestineze, si më parë, dhe dukej se pranoi se bombardimet e Izraelit kishin qenë “pa dallime”.

Është e qartë se Bideni nuk është në një hap me opinionin amerikan dhe global. Një sondazh i ri sugjeron se 68 përqind e amerikanëve e duan armëpushimin, ndërsa gati 40 përqind mendojnë se Biden duhet të veprojë si “ndërmjetës neutral” dhe jo si kryembrojtës i Izraelit, raporton abcnews.al.

Në veçanti, votuesit demokratë nuk janë të paprekur. Sondazhi tjetër zbuloi se 56 përqind e tyre besojnë se reagimi ushtarak i Izraelit ka shkuar shumë larg, me një rritje prej 21 përqind nga një muaj më parë.

Pra, rreth 50 për qind e votuesve të rinj amerikanë (nën 45 vjeç) dhe votuesve jo të bardhë besojnë se reagimi i Izraelit ishte “i tepërt”. Këto janë zonat kryesore elektorale të vitit 2024, për Biden.

Gjithashtu, ai është duke humbur mbështetjen arabe dhe myslimane ndërsa, po përballet edhe me rebelimin e stafit. Asgjë nga këto nuk është shenjë e mirë për shanset e tij të lëkundura për rizgjedhje.

Zemërimi i publikut mbi Gazën po trondit politikën e brendshme të aleatëve të ngushtë të Amerikës.

Në Mbretërinë e Bashkuar, çështja e armëpushimit ka ndarë qeverinë në pritje të Keir Starmerit. Franca dhe Gjermania janë gjithashtu në mosmarrëveshje. BE-ja, ashtu si Biden, është rikthyer në zgjidhjen me dy shtete.

“Njëri tmerr nuk e justifikon tjetrin”, u tha izraelitëve, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Por, atij i mungon leva.

Shqetësimi në fakt përqendrohet në mënyrën se si Gaza e ka eklipsuar luftën e Ukrainës kundër Rusisë. Përsëri, Biden nuk ka ndihmuar. Duke i përshkruar luftërat në Gazë dhe në Ukrainë si të përbashkëta kundër paligjshmërisë dhe brutalitetit, Bideni e dëmtoi “si autoritetin e tij moral ashtu edhe solidaritetin ndërkombëtar me Ukrainën”, tha komentatori Fintan O’Toole.

Për shumë njerëz në Jugun Global, duket se Perëndimi i dënon vdekjet e civilëve ukrainas, por i ka justifikuar të palestinezëve.

Në betejën paralele për opinionin global, Biden dhe Perëndimi qartazi po humbin në Gaza.

Është i jashtëzakonshëm zemërimi i madh që ndihet në vendet arabe dhe më gjerë ndaj viktimave civile, dhe kjo mund të ketë pasoja të gjata dhe të pafavorshme gjeopolitike.

Shumica e kritikave drejtohen nga Izraeli “shteti terrorist”, sipas Turqisë. Por, SHBA-ja gjithashtu është kritikuar, për shembull nga regjimet e Gjirit që i ka inkurajuar për të krijuar lidhje miqësore me Izraelin, si dhe nga vendet post-koloniale afrikane që identifikohen me luftën e Palestinës.

Kina dhe Rusia në mënyrë aktive po e shfrytëzojnë hipokrizinë e perceptuar për Perëndimin.

Çfarë mund të kishte bërë ndryshe Biden?

Pas 7 tetorit, duke pasur parasysh politikën ekzistuese të SHBA-së dhe historinë e tij personale, ai ishte i detyruar të mbështeste Izraelin. Ai  vizitoi Tel-Avivin, mbajti një fjalim të mrekullueshëm, dhe tregoi  një ndjeshmëri të vërtetë.

Që atëherë, u duk se i dha Netanyahut lirinë, ose të paktën se nuk ka arritur ta frenojë.

Ndërsa, Netanyahu, si një nacionalist i paskrupullt i së djathtës ekstreme dhe tifoz i flaktë i Donald Trumpit nuk është mik i Bidenit.

SHBA-ja do ta donte një kufi kohor për luftën, por Netanyahu nuk do t’i ndalojë sulmet derisa të shkatërrojë Hamasin, diçka që nuk ka gjasa të ndodhë. Ai shpeshherë flet për një “luftë të gjatë”. Është shpresa e tij më e madhe për të qëndruar në detyrë dhe jashtë burgut, raporton abcnews.al.

Duke hedhur poshtë paralajmërimet e Bidenit, ai synon të mbajë për një kohë të pacaktuar kontrollin në Gaza. Si gjithmonë, ai ka kundërshtuar zgjidhjen me dy shtete. Një sondazh zbuloi se më pak se katër përqind e hebrenjve izraelitë besojnë se Netanyahu thotë të vërtetën për luftën.

SHBA ka filluar me vonesë të marrë një qëndim më të ashpër dhe forcat izraelite mund të detyrohen me kalimin e kohës të tregojnë më shumë vetëpërmbajtje.

Por, për sa kohë që Netanyahu është në pushtet, Biden dhe udhëheqësit perëndimorë do të përballen me një sfidë të vazhdueshme në Jerusalem, gjë që do të zgjasë vuajtjet në Gaza, do të dëmtojë besueshmërinë e tyre brenda vendit, do të dëmtojë interesat e tyre jashtë vendit dhe do të paraqesë rrezik gjithmonë të pranishëm për një luftë më të gjerë, raporton abcnews.al

Zyrtarët amerikanë kanë frikë se lufta në Bregun Perëndimor do të shpërthejë së shpejti. Nëse çështja është e ardhmja e Gazës, shtetësia palestineze, kërcënimi iranian apo qeverisja e ndershme demokratike, Netanyahu është përgjegjësi, më shumë tani sesa para luftës.

Joe Biden duhet ta kuptojë se për sa kohë Bibi është në pushtet nuk mund të ketë paqe.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!