Mbështetësit e Berishës ikin nga Kuvendi, Noka: PD-në e përfaqëson vetëm Komisioni i Rithemelimit

schedule17:30 - 17 Janar, 2022

schedule 17:30 - 17 Janar, 2022

Pas një serie debatesh në sallën e Kuvendit, mbështetësit e Sali Berishës në PD dhe anëtarët e Komisionit të Rithemelimit, janë larguar nga seanca plenare.

Nga ana tjetër edhe vetë ish-kryeministri Sali Berisha nuk ishte pjesëmarrës në këtë seanca, pavarësisht se më herët kishte njoftuar se do të ishte i pranishëm.

Nga jashtë sallës së Kuvendit, deputeti Flamur Noka ka mbajtur edhe një prononcim për mediat ku është shprehur se Komisioni i Rithemelimit është i vetmi që përfaqëson PD-në në çdo institucion.

“PD është e gatshme në çdo moment për zgjedhje dhe për t’i fituar ato. Çdo institucion po informohet që PD-në me mandate të kuvendit e përfaqëson vetëm Komisioni i Rithemelimit. Shoqatën e bravave dhe të shulit nuk e njohim. Ne po flasim për një demokraci, jo për diktaturë. Pengu mund të japë vulën me qira, dhe pengmarrësi mund të vulosë në emër të tij. Demokratët njohin vetëm institucionet e votuara me votë të lirë”- tha ai.

Pas vendimit të kryesisë për përjashtimin e Sali Berishës dhe 8 mbështetësve të tij nga partia si edhe për pezullimin e disa të tjerëve, PD informoi Kuvendin për konfigurimin e ri të grupit parlamentar. Nga ana tjetër Komisioni i Rithemelimit njoftoi Kuvendin për shkarkimin e Bashës, dhe se vendimet që merren prej tij janë të pavlefshme për ta. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!