Ambasada Amerikane, me anë të një postimi në Facebook, shprehet se mbështet me forcë punën e pavarur dhe profesionale të Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut.
Në postim thuhet po ashtu se, profesionistët e sistemit të drejtësisë, oficerët e policisë, prokurorët dhe gjykatësit, duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre pa kërcënime dhe kanosje, pavarësisht kush është i pandehur.
Sipas qëndrimit të diplomatëve amerikanë lejimi dhe mbështetja e përpjekjeve për të luftuar krimin e organizuar “është e vetmja mënyrë që shqiptarët të kenë sistemin profesional dhe të paanshëm të drejtësisë që meritojnë, dhe të ecin përpara drejt integrimit në BE.”
Deklarata nuk i referohet ndonjë çështjeje konkrete, por këto ditë SPAK dhe Policia kanë kryer dy procese të zëshme sekuestrimesh: ato të pasurisë së Ylli Ndoqit, pronar i disa mediave dhe kompanive të tjera i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, si dhe sekuestrimin e ish-hotel Vollgës në Durrës, ku rezultonte pronar edhe Emiljano Shullazi, i akuzuar për një sërë veprash penale, në kundër të grupit të strukturuar kriminal.
Postimi i plotë:
Ambasada e SHBA-së mbështet me forcë punën e pavarur dhe profesionale të Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut. Profesionistët e sistemit të drejtësisë – oficerët e policisë, prokurorët dhe gjykatësit – duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre pa kërcënime dhe kanosje, pavarësisht kush është i pandehur.
Ka ardhur koha që të lejohen të kryejnë detyrat e tyre dhe të mbështeten përpjekjet e tyre për të luftuar krimin e organizuar. Kjo është e vetmja mënyrë që shqiptarët të kenë sistemin profesional dhe të paanshëm të drejtësisë që meritojnë, dhe të ecin përpara drejt integrimit në BE. /abcnews.al/