TIRANË- Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se e mbështesin protestën e thirrur të premten e 17 tetorit në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një deklaratë për mediat, Balla u shpreh se të gjithë ata që e duan kombin, të premten duhet t’i bashkohen protestës gjithëkombëtare, të thirrur dhe organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Të gjithë së bashku, ditën e premte në sheshin “Skënderbej”, për të dërguar një mesazh solidaritet ndaj komandantëve të UÇK-së, por dhe ushtarëve të UÇK-së për gjakun e rënë në fushën e betejës.
Kjo nuk është partiake, por kush e ka zemrën në vendin e duhur dhe kujt i dhemb sadopak për kombin duhet të jetë atje. Unë do jem atje të shpreh solidaritetin tim për një proces, që e dimë se si u iniciua. Do doja shumë që edhe deputetët e PD të ishin aty.”, tha ai.
Nga ana tjetër, të paktën deri tani, Partia Demokratike duket që e ka braktisur protestën pro-Thaçit që mbahet në Tiranë me argumentin justifikues se në tubimin “është i pranishëm dhe kryeministri Edi Rama”/abcnews.al

