Mbërrijnë sonte 8190 doza të Pfizer, si do të përzgjidhen të moshuarit për t’u vaksinuar

schedule19:54 - 22 Shkurt, 2021

schedule 19:54 - 22 Shkurt, 2021

Nga Ajgena Korbi

Një tjetër sasi vaksinash kundër koronavirusit pritet të mbërrijë në Shqipëri në mbrëmje.  Bëhet fjalë për 8190 doza të Pfizer, pjesë e kontratës së lidhur mes qeverisë dhe kompanisë amerikane.  Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu e bëri të ditur nga foltorja e Parlamentit.

Me mbërritjen e 8190 doza të Pfizer,  vaksinën  anti-Covid pritet  ta marrin paralelisht me mjekët e infermierët  edhe të moshuarit në azile dhe mbi 80 vjeçarët.

Aktualisht kësaj grupmoshë i përkasin rreth 82 mijë persona të cilët sipas përgjegjëses së Programit Kombëtar të Vaksinimit do të injektojnë dozat kundër koronavirusit sipas një kalendari të përcaktuar.

‘Në fashën që ne themi ka disa nëndarje të tjera. Aktualisht ecet edhe në varësi të sasisë së vaksinave. Ne bazë kemi sistemin shëndetësor, por në mënyrë paralele do të fusim edhe të moshuarit”, thotë ajo.

Të moshuarit do të planifikohen nga mjekët e familjes të cilët në varësi të vaksinave në dispozicion  për të vendosur  radhën e vaksinimit brenda grupmoshës  do të bazohen dhe tek sëmundjet shoqëruese të pacientëve.

“Të moshuarit njoftimin do ta marrin nga mjeku i familjes”, shpjegon ajo.

Kompania Pfizer parashikohet të sjellë në Shqipëri brenda muajt mars rreth 40 mijë doza antiCovid.  Ndërkohë autoritetet shëndetësore kanë paralajmëruar  gjithashtu  se një tjetër sasi vaksinash të AstraZenecas pritet të vijnë nga Aleanca Covax. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!