TIRANË– Pavarësisht se kulmi i sezonit turistik ka përfunduar, luhatjet në kursin e këmbimit valuator kanë qenë minimale.
Euro këtë fillim shtatori po këmbehet për 97.5 lekë. Në raport me gushtin, monedha ka shënuar një rritje, por sërish vijon të qëndrojë në nivelet më të ulëta të këmbyera ndonjëherë në vend.
Krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, euro po këmbehet me gati 2 pikë më pak. Edhe dollari amerikan është luhatur së fundmi. Monedha është zhvlerësuar më tej në mesjavë dhe sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë po këmbehet për 83.6 lekë.
Dollari prej kohësh ka humbur terren edhe në tregjet ndërkombëtare pikërisht për shkak të politikave ekonomike që po ndjek presidenti amerikan, Donald Trump.
Drejtor i Shoqatës së Zyrave të Këmbimit, Dritan Vakaj, i ftuar në emisionin “Money Report” thotë se turizmi ka ndikuar në dobësimin e monedhës europiane pasi të hyrat kanë qenë të konsiderueshme.
Ai thekson se duke analizuar të gjithë faktorët aktualë, pritet që euro të ketë një rënie të lehtë gjatë stinës së vjeshtës.
“Shqipëria vazhdon të vizitohet. Po të shohim ecurinë e turizmit gjatë vitit kemi një shtrirje uniformë, me një rritje gjatë korrikut dhe gushtit. Luhatjet e monedhës europiane janë më minimale.
Ka ndikuar trendin edhe kursi i këmbimit pasi vazhdon te mbesin me trendet pozitive remitancat. Një element i rritjes së prurjes së euros në vend. Nëse ka turizëm dhe remitanca, euro nuk do ketë forcim të ndjeshëm. Rivlerësim i pronave do të shtojë transaksionet në euro dhe tendenca është që të kemi një rënie të lehtë edhe gjatë vjeshtës”, tha ai/abcnews.al

