Elvin Hoxha Ganiyev është një violinist me një repertor të gjerë dhe të larmishëm, i cili ka fituar shumë çmime nëpër konkurse prestigjioze ndërkombëtare. Elvini ka lindur në një familje muzikore, pasi babai i tij është violonçelist, mamaja dhe gjyshja janë pianiste ndërsa gjyshi dhe e motra janë violinistë.
Babai i tij është shqiptar ndërsa nëna e tij është nga Azerbajzhani. Elvini, i cili ka ardhur në Shqipëri për një koncert në Shqipëri, dha një intervistë për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”. Ai tregoi se nisi të merrej me violinë që në moshën 5 vjeçare dhe shtysa më e madhe kishte qenë gjyshi violinist, Server Ganiyev.
Ai tha se për shumë vite ka qenë dhe mentori i tij derisa ndërroi jetë. Në moshën 8-vjeçare, ai dha koncertin e tij të parë orkestral me gjyshin e tij. “Koncertin tim të parë me orkestër e mbajta kur isha 8 vjeç ku luajta me gjyshin. Ishte dita më e veçantë sepse ishte mësuesi dhe modeli im i parë.
Ishte personi që donte që të bëhesha violinist. Babai donte të merresha me violinçel. Jam shumë i lumtur që bëri këtë gjë sepse karriera ime shkoi shumë mirë valë violinës. Ne kemi në orkestër të vogël brenda familjes tonë, dhe jam me fat që jam pjesë e një familjeje të tillë.”, tha Elvini.
Ai është krahasuar dhe me vionilistin e njohur italian Niccolo Paganini. “Mendoj se shumë njerëz janë krahasuar me të, sidomos kur janë të rinj dhe luajnë pjesë të shpejta. Gjithmonë ekziston një që krahasohet me Paganinin, diçka që media e bën që të të prezantojë në një mënyrë sa më interesante.“, tha ai. /abcnews.al


