Ministria e Brendshme ka hedhur poshtë pretendimet e selisë blu se ka favorizuar autorët e ngjarjes tek Rana e Hedhun në Lezhë. Në reagimin e ministrisë thuhet se për ngjarjen janë ndaluar 3 persona, një nga të cilët shtetasi nga Lezha me inicialet E.S, po hetohet në gjendje të lirë për veprat penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Prishje e rendit publik”, pasi rezultoi se arma që kishte përdorur, një pistoletë me mbishkrimin ‘Ekol Special 99’, me krehër pa fishekë, nuk ishte armë zjarri, por armë simuluese zhurmuese.
Në reagimin e ministrisë theksohet se Ministri i Brendshëm nuk ka telefonuar apo dhënë udhëzime në asnjë rast të vetëm Drejtorive Vendore, për operacione apo veprime procedurale dhe policore, që lidhen me hetimin e ngjarjeve. Sfidojmë cilindo brenda e jashtë Policisë të dëshmojë të kundërtën. “Kjo është reminishencë e kohës kur Ministria e Brendshme drejtohej nga ata që sot janë në opozitë dhe gjuajnë me topa balte drejt Policisë së Shtetit, duke tentuar ta demotivojnë atë dhe inkurajojnë krimin. Ministria dhe policia e shtetit janë të angazhuar me përgjegjësinë maksimale për të goditur me Forcën e Ligjit çdo grup kriminal apo lidhjet e tyre kudo gjenden, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme./abcnews.al