Kjo deklaratë e ish-kryeministrit ka sjellë reagimin e menjëhershëm të mazhorancës, e cila paralajmëroi se do t’i drejtohet Byrosë së Kuvendit me kërkesa për përjashtimin e Berishës.
Gramoz Ruçi: “Zoti Berisha, është hera e dytë që e përmendni këtë shprehjen e partizanëve legjendarë, e partizanëve, e Rilindësve aq më mirë, por e përdorur nga një ish-kryeministër dhe ish-president “o djem rrëmbeni armët, ja vdekje ja liri”, sigurisht është e papranueshme, është e dënueshme dhe duhet të distancohen të gjitha grupet parlamentare”.
Taulant Balla: “Grupi parlamentar i Partisë socialiste i kërkon dhe do depozitojë në minutat në vijim kërkesat drejtuar byrosë së Kuvendit. Kërkesat janë të ndryshme. E para për marrjen e masës disiplinore të përjashtimit nga Kuvendi dhe sigurisht do i takojë byrosë që siç e përcakton rregullorja të thërrasë deputetin shkelës të rregullores për të dhënë shpjegimet dhe arsyet për thirrjet publike për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues kjo dënohet me gjobë deri në tre vite burg, por kjo është pjesa që i takon organeve të drejtësisë. Përsa i përket rregullores së Kuvendit unë do i bëja thirrje PD-së dje kryetari i PD-së kthehet në transportues vezësh me të cilat pastaj goditet kryeministeri apo kushdo tjetër në këtë sallë. Sot ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, bën thirrje për dhunë. Këto janë të papranueshme sepse nuk i bën mirë rrugës tonë europiane dhe besoj apeli im është që PD urgjentisht të distancohet nga këto thirrje. I bëj thirrje kryetarit të Kuvendit në përfundim të kësaj senace, byroja e kuvendit të shqyrtojë kërkesat tona sot, por edhe ato dje për Lulzim Bashën dhe deputetëve të tjerë shkelës të rregullores”.
Edi Paloka: “Përderisa këtu kanë dalë edhe vezët antikushtetuese nuk ka asgjë të keqe të nxirrni edhe një këngë antikushtetuese. Ajo nga zoti Berisha. Po jua them që mund ta gjeni te wikipedia është këngë patriotike e kohës së robërisë turke dhe kohës partizane zoti Gramoz”.
Dashamir Shehi: “Tani kjo puna e këngës fillon dhe bëhet serioze. Rrini të qetë se ne kur jemi këtu se kur ishte puna e armëve e bëmë me letra demokracinë kështu që rrini të qetë fare. S’ka për të marrë njeri armë. Përtej pasionit të Berishës s’ka për të marrë njeri armë. Jemi disa këtu që ishte koha për të marrë armët dhe nuk i morëm. Lëreni këtë muhabet dhe të merremi për atë që kemi ardhur sot”. /abcnews.al