Mazhoranca e opozita bashkuan votat këtë mbrëmje në kuvend pro anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO. Protokolli i anëtarësimit, i futur me procedurë të përshpejtuar mori votat e 94 deputetëve të pranishëm në seancë.
Mazhoranca e opozita u bashkuan me 91 vota edhe në ratifikimin e marrëveshjes Shqipëri-BE mbi veprimet e ndërmarra nga Agjencia e Rojes Bregdetare dhe Kufirit Evropian në Republikën e Shqipërisë.
Votat e mazhorancës e opozitës u bashkuan në 93 vota, edhe në dekretin presidencial që ktheu ligjin për kadastrën, por u ndanë në ndryshimet që socialistët i bënë 17 neneve të këtij ligji, të cilin e miratuan me 75 votat e tyre.
Dekreti tjetër i Presidentit mbi ligjin për noterinë u rrëzua me 75 vota kundër të mazhorancës, ndërsa mori 19 vota pro të opozitës.
Ndryshimet në ligjin për peshkimin dhe atë mbi efiçencën e energjisë morën vetëm 75 vota pro të mazhorancës. /abcnews.al