Kryeministrja britanike Theresa May, e cila këtë të enjte ka mbërritur në Bruksel për një samit, ka deklaruar se do t’u bëjë të qartë aleatëve europianë rrezikun nga kërcënimi rus. “Kërcënimi rus nuk njeh kufij. Sulmi me agjent kimik në Salisburi ishte pjesë e një agresioni të përgatitur rus kundër Europës”, ka thënë May.
Sipas BBC, gjatë samitit kryeministrja pritet të ritheksojë angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për sigurinë e Europës pasi të lërë Unionin në mars të vitit 2019. Liderët europianë pritet të vendosin nëse do të pranojnë apo jo kushtet për periudhën 21-mujore të tranzicionit britanik. May, e cila nuk do të jetë e pranishme gjatë diskutimeve për Brexit ditën e premte, do të njoftojë homologët për rastin e helmimit të ish-agjentit rus dhe së bijës.
Ndërkohë, Këshilli i Europës pritet të miratojë një rezolutë që dënon sulmin në Salisburi, për të cilin Britania pretendon se shteti rus ishte përgjegjës. Sergei Skripal dhe e bija Julia vazhdojnë të qëndrojnë në spital në gjendje kome, ndërsa oficeri i policisë që u erdhi atyre në ndihmë në vendin e ngjarjes ka lënë këtë të enjte shtratin./abcnews.al