Mërgim Mavraj nuk është më pjesë e skuadrës së Hamburgut në Bundesligën gjermane. Mbrojtësi i kombëtares është lënë jashtë nga trajneri dhe duket se duhet të gjejë ekip tjetër.
Do t’i duhet të lutet për kohë më të mira. Lajmet ishin të këqija për Mërgim Mavrajn me t’u kthyer në Gjermani, pas detyrës së kryer me kombëtaren.
Shqiptari 31-vjeçar i Kosovës, që vazhdimisht quhej shefi i mbrojtjes, mori vesh se ishte lënë jashtë skuadrës së parë të Hamburgut nga trajneri Kristian Tic.
Që tani e tutje, ai do të duhet të stërvitet me ekipin U21 të klubit të Gjermanisë Veriore, me gjasë derisa të gjejë sistemim diku tjetër.
Mavraj, një lojtar me karrierë të spikatur në Bundesligë me Bohumin, Këlnin dhe Hamburgun, por duket se po ndikohet nga një humbje e përkohëshme e formës, si dhe nga kriza e skuadrës.
“Stafi teknik i Hamburgut ka vendosur të heqë dorë nga Mavraj për arsye sportive”, u shpreh drejtori sportiv i klubit, Bernhard Peters.
Trajneri Tic më herët largoi edhe dy lojtarë të tjerë shumë të njohur të mbrojtjes si Papadhopulos dhe Uollas. Hamburgu është një emër i famshëm në futbollin gjerman, si i vetmi ekip që ka marrë pjesë në çdo edicion të Bundesligës dhe që njëkohësisht nuk ka zbritur kurrë në kategorinë e dytë, por këtë herë ky rekord do të prishet.
Ekipi i Mavrajt është në vendin e fundit, plot 7 pikë nga zona e play off, ndërsa duhen edhe 7 javë deri në përfundim të kampionatit.
Sezonin e kaluar, Hamburgu shpëtoi për mrekulli nga rënia, vetëm 3 minuta përpara mbylljes së ndeshjes së fundit, veçse për Mavrajn, ky nuk pritet të jetë veçse një kujtim i bukur.
Shpresa është që një nga kapitenët e kombëtares ta vazhdojë karrierën në një skuadër tjetër, për të qenë sërish në nivel të lartë dhe për të ndihmuar ekipin përfaqësues./abcnews.al