Maurizio Sarri, trajneri i ri i Juventusit

schedule15:55 - 16 Qershor, 2019

schedule 15:55 - 16 Qershor, 2019

Maurizio Sarri është trajneri i ri i Juventusit. Kampionët e Italisë njoftojnë zyrtarisht arritjen e akordit me kontratë deri në vitin 2022.

Titulli është fituar 8 vjet radhazi, por nuk mjafton. Juventusi dhe tifozët e tij kërkojnë edhe më shumë, ndaj klubi piemontez largoi trajnerin e shquar, Masimiliano Allegri, dhe gjeti një pasardhës që i duket si më i përshtatshmi.

Maurizio Sarri do të ulet në stolin e “Zonjës së Vjetër”. Kjo u njoftua nga drejtuesit në mënyrë zyrtare në rrjetet sociale.

“Mirësevjen Sarri, – shkruhet në komunikatën e hedhur në Instagram, – Zyrtare! Mauricio Sarri është trajneri i ri i Juventusit”!

Ish-trajneri i Napolit dhe i Chelsea-t vlerësohet si njeriu i futbollit të bukur, diçka që kërkohet me ngulm nga klubi dhe që është e domosdoshme në futbollin modern, që është kthyer në një biznes global spektakli.

Presidenti Agnelli dhe drejtuesit e tjerë shpresojnë që me Sarrin të merret maksimumi nga Cristiano Ronaldo, i cili vërtet u shpall kampion, por zhvilloi sezonin më të dobët në karrierë të paktën në 10 vitet e fundit.

Futbolli sulmues dhe karakteri i fortë i trajnerit të ri shpresohet të shmangin dështime si ai që ndodhi në çerekfinale të Championsit, me eliminimin nga Ajaksi. Gjithsesi, nuk do të jetë e lehtë për Sarrin në Torino.

Tifozët juventinë vërtet janë të lumtur me ardhjen e Ronaldos, por një pjesë e dytë e kanë bërë të qartë se nuk e deshën teknikun 60-vjeçar në stolin e ekipit të tyre të zemrës.

Ata thonë se nuk i kanë harruar akuzat dhe talljet e Sarrit me Juventusin, kur ai ishte trajner i Napolit. Po ashtu, ata vlerësojnë se napolitani nuk ka klasin e duhur për të drejtuar një formacion aq elitar dhe fisnik sa ai torinez.

Gjithsesi, “Zonja e Vjetër” ka gjetur një trajner të sprovuar dhe me karakter, i vetmi këta vjet në Itali që mundi ta sfidonte deri në fund skuadrën juventine, në duelin për titull.

Po ashtu, fitorja e Ligës së Europës me Chelsea-n, sezonin që sapo u mbyll, tregoi se ai është një profesionist që di të luftojë për trofe./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!